Përmes forcimit të bashkëpunimit në bujqësi, Maqedonia dhe Shqipëria shohin mundësi të mirë për të rritur shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.
Ministri shqiptar i Bujqësisë, Edmond Panariti ka takuar të hënën në Shkup homologun maqedonas Lupço Dimovski, me të cilin ka rënë dakord që përveç thellimit të bashkëpunimit institucional, të nxisin edhe komunitetin e biznesit që të intensifikojë kontaktet për t’i hapur rrugë rritjes së shkëmbimit të produkteve bujqësore.
“Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë aktualisht është shumë i vogël dhe shkon deri në 100 milionë euro në vit. Sa i përket produkteve bujqësore, shkëmbimi ka qenë shumë i ulët. Ne duam ta intensifikojmë këtë bashkëpunim. Së shpejti, një delegacion i biznesmenëve maqedonas do të vizitojë Tiranën për të vendosur bashkëpunim të drejtëpërdrejtë me kompanitë e Shqipërisë, për një prani më të madhe të prodhimeve bujqësore nga Maqedonia në tregun e Shqipërisë dhe anasjelltas”, deklaroi Dimovski.
Nga ana e tij, ministri shqiptar intesifikimin e bashkëpunimit në bujqësi e sheh si shumë të rëndësishëm, pasi sipas tij sjell efekte pozitive në zhvillimin e ekonomive të të dyja vendeve.
“Ndajmë me ju të njëjtat pikëpamje që ne duhet ta konsiderojmë tregun si një treg të përbashkët, ku secili vend padyshim përmes avantazheve të krahasuara dhe konkurruese që disponon të mund të luajë rolin që i takon në këtë treg të përbashkët, që është më i madh se sa tregu i vakant i secilit prej vendeve tona. Duke pasur një përqasje të këtillë, ne mendojmë që do të ecim në rrugën që duhet për zhvillimin e ekonomive tona për zhvillimin e bujqësisë”, tha Panariti.
Dy ministrat kanë paralajmëruar forcimin e bashkëpunimit edhe sa i përket ruajtjes së parametrave ekologjikë dhe të biodiversitetit në liqenin e Ohrit dhe Prespës.
Top Channel