Gjykata Penale e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e njësisë task forcë duke urdhëruar 14 masa sigurimi personal për 14 punonjës të kompanisë CEZ, nën akuzën e falsfikimit të dokumentave zyrtare dhe shpërdorim detyre.
Sipas zyrës së shtypit të prokurorit të përgjithshëm, masa e arrestit me burg është vendosur për tetë punonjës me detyrën faturues, ndërsa masa më e butë, ajo e arrestit shtëpiak, është vendosur edhe për gjashtë persona të tjerë, po të nivelit faturues.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se masat e sigurimit personal të udhëruara nga gjykata janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit gjatë së hënës.
Prokuroria pretendon se të 14 të akuzuarit kanë falsifikuar faturat e energjisë elektrike për një numër të madh konsumatorësh, duke bërë që këta të fundit të paguajnë shuma që variojnë nga 65 mijë lekë deri në 280 mijë lekë të reja për shkelje të pretenduara nga faturistët, por që realisht qytetarët nuk i kishin kryer këto shkelje.
Prokuroria e Përgjithshme njofton se hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale të personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme, si dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Top Channel