Ukrainë, SHBA-të konsiderojnë edhe sanksionet

12/12/2013 02:10

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se po konsideron të gjitha opsionet, përfshi edhe sanksionet, kundrejt Ukrainës për shkak të vazhdimit të krizës politike atje.

Njoftimi vjen pas përpjekjeve të policisë për të larguar protestuesit nga kampet e tyre ku janë përqendruar në kryeqytetin e vendit, Kiev.

Presidenti tha gjatë së mërkurës se forca nuk do të përdoret kurrë më ndaj protestuesve paqësorë. Por, oferta e tij për bisedime për të zgjidhur krizën, u refuzua menjëherë nga liderët e opozitës.

E gjithë java e demonstratave në qendër të Kievit ka paralizuar kombin e 46 milionë banorëve.

Si shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, edhe ndihmës/Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ishin në Kiev gjatë së mërkurës, ku u takuan me protestuesit por dhe me anëtarë të qeverisë së presidentit Victor Yanukovych.

“Jemi duke konsideruar të gjitha opsionet politike, përfshi këtu sanksionet, por nuk do të specifikoj më tej”, tha zëdhënësja e DASH, Jen Psaki. “Ka një gamë të gjerë opsionesh, ndaj të cilave jemi të hapur, por nuk jemi ende në atë pikë për të marrë vendim”.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shprehu indinjatën e tij ndaj vendimit të autoriteteve të Ukrainës për “t’u takuar me protestuesit paqësor me forca speciale të policisë, bulldozerë dhe shkopinj gome, në vend të respektit për të drejtat demokratike dhe dinjitetit njerëzor”.

Policia ndërhyri në kampin kryesor të protestuesve në sheshin e Pavarësisë, në orët e para të së mërkurës. Ata shkatërruan disa barriera dhe tenda, duke thënë se po përpiqeshin të lironin një rrugëkalimi për në shesh për trafikun e mjeteve.

Protestuesit, që mbanin edhe helmeta portokalli, bllokuan armët policore duke formuar “mure” njerëzore, në përpjekje për t’i rezistuar shtytjeve të policisë. Të paktën 9 persona janë arrestuar, teksa ka disa raportime për përdorim dhune.

Eventualisht, policia është tërhequr si nga sheshi i Pavarësisë, edhe nga Bashkia e qytetit, ku ata bënë një përpjekje të dështuar për të larguar protestuesit që kishin pushtuar këto vende.

Presidenti Viktor Yanukovych ftoi sërish të gjitha partitë, përfshi opozitën, për bisedime në lidhje me zgjidhjen e krizës politike.

“Për hir të arritjes së kompromisit, i bëj thirrje opozitës të mos refuzojë bisedimet, të mos zgjedhë rrugën e konfrontimit dhe ultimatumeve”, tha presidenti përmes një deklarate të publikuar në uebsajtin e tij. Ai shtoi se autoritetet “nuk do të përdorin kurrë më dhunë ndaj protestuesve paqësorë”.

Por, opozita reagoi ashpër: “Në vend të një tryeze të rrumbullakët, ne kemi marrë vetëm një betejë me shkopinjtë e gomës”, tha lideri i opozitës, Oleksandr Turchynov. “Autoritetet janë duke ndjekur një qorrsokak”.

Tensionet kanë qenë të larta, që kur qeveria refuzoi muajin e kaluar të nënshkruante një marrëveshje për marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Europian. Kthesa 180 gradë u bë prej presionit nga Rusia, që ka thënë se marrëveshja e tregtisë së lirë së Ukrainës me BE-në mund të shkatërrojë tregun rus.

Kryeministri Mykola Azarov tha të mërkurën se Ukraina ka nevojë për 20 miliardë euro ndihmë nga BE-ja, në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes.

Top Channel