SHBA, arrestohet ndihmësi i senatorit

12/12/2013 00:00

Ndihmësi i një senatori të Senatit të Shteteve të Bashkuara është arrestuar nga policia lokale për pedo-pornografi.

Jesse Ryan Loskarn, ndihmës i senatorit republikan Lamar Alexander, u prangos nga policia në Uashington D.C për zotërim dhe shpërndarje të materialeve të paligjshme.

Ai është shkarkuar nga detyra dhe pritet të paraqitet në gjykatën federale më vonë gjatë së enjtes.

“Jam i befasuar, i çuditur dhe i zhgënjyer nga ajo që kam mësuar”, ka thënë në një deklaratë senatori Alexander, duke shtuar se zyra e tij po bashkëpunon me hetuesit.

Loskarn, 35 vjeç, kishte punuar më parë në Capitol Hill për më shumë se një dekadë dhe ishte emëruar shef i stafit të senatorit republikan në vitin 2012, raportojnë mediat amerikane.

Zoti Alexander, i zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 2002, më herët kishte shërbyer si sekretar për Arsimin dhe si guvernator në Tenesi.

Autoritetet raportohet se kontrolluan shtëpinë e ndihmësit, si dhe kompjuterin e tij të punës në zyrën e zotit Alexander ditën e mërkurë.

Senatori shkarkoi zotin Loskarn nga posti i shefit të stafit dhe vendosi një tjetër asistent të tij, David Cleary në vendin e tij.

Top Channel