Meksika, pro investimeve të huaja për naftën

12/12/2013 03:30

Senati meksikan ka miratuar një ligj që lejon hapjen e fushave shtetërore të naftës ndaj investimeve të huaja, për herë të parë në 75 vjet.

Kjo masë do t’u lejojë firmave private të eksplorojnë dhe të nxjerrin naftë dhe gaz natyror me firmën shtetërore Pemez, si dhe të marrin një pjesë të përfitimeve.

Projektligji pritet të kalojë në dhomën e ulët tashmë për t’u votuar, ku pritshmëritë janë për miratimin e tij. Presidenti Enrique Pena Nieto shkroi në Twitter se ky ishte “një vendim domethënës për Meksikën”.

Pena Nieto tha se ishte thuajse e domosdoshme modernizimi i sektorit energjitik të Meksikës, për të rritur prodhimin e naftës, që ka rënë nga 3,4 milionë fuqi në ditë, në vitin 2004, në sasinë prej 2,5 milionë fuqi në ditë, aktualisht.

Gjithsesi, partia e majtë e Revolucionit Demokratik tha se ky veprim ishte një nënshtrim ndaj kompanive amerikane të naftës, ndërkohë që disa protestues ngritën një kamp jashtë Senatit. Sipas tyre, kjo lëvizje godet në zemër identitetin e Meksikës.

Në 1938, ish-presidenti Lazaro Cardenas shtetëzoi industrinë e naftës, e cila operohej deri në atë vit nga të huajt, duke theksuar se vetëm Meksika ka të drejtë mbi pasuritë minerale të saj.

Nëse ky projektligj kalon në Kongresin e Meksikës, atëherë do të duhet të miratohet nga 17 prej 32 entiteteve federale të Meksikës.

Top Channel