Kriza, Draghi: Unioni bankar s’mjafton

12/12/2013 00:00

“Unioni bankar nuk është një element shërues. Është i nevojshëm për të
eleminuar përçarjen financiare, por i pamjaftueshëm për të shkëputur
lidhjen mes borxheve sovrane dhe bankave”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, sipas të cilit kushtet për huadhënie të barabartë mund të stabilizohen vetëm nëse vazhdojnë reformat dhe konsolidimi.

“Normat, që i kemi çuar në nivelin më të ulët historik, do të mbeten të ulëta për një kohë të gjatë. Masat e marra nga BQE dhe në veçanti vendimet për normat e interesit kanë çuar në reduktimin e padrejtësive dhe lehtësimin e presionit të financimit të ndërmarrjeve, si dhe kanë ndihmuar edhe bizneset e vogla e të mesme”, ka saktësuar Draghi në një raportim në seancën e Parlamentit Evropian në Strasburg.

Ndërkohë, në buletinin mujor të BQE thuhet se banka do ta mbajë normën e referimit në 0.25 për qind ose në nivele më të ulëta për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Gjithashtu, banka do të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen graduale të zonës së euros. BQE, thuhet në buletin, pret që në muajt e fundit inflacioni të mbetet pak a shumë në nivelet aktuale, me presione të moderuara mbi çmimet në një periudhë afatmesme.

Lidhur me krizën financiare ka folur edhe komisioneri evropian për Çështjet Financiare, Olli Rehn, i cili është shprehur skeptik për samitin e ardhshëm të vendeve anëtare.

“Samiti i javës së ardhshme nuk do të jetë shumë efikas dhe as shumë konkret, në një kohë kur duhet përshpejtuar ritmi për rritjen e krediteve për buxhetet dhe për të ndihmuar rritjen ekonomike”, ka thënë Rehn.

Komisioneri evropian u ka përsëritur apelin shteteve anëtare të bllokut që të jenë më të guximshëm dhe kurajozë për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut.

Top Channel