Itali, Letta premton një “fillim të ri”

12/12/2013 04:50

Kryeministri italian, Enrico Letta, ka kaluar një votim të rëndësishëm
besimi në Parlament, pasi premtoi reforma të thella ekonomike e
politike.

Qeveria e Letta-s mori me lehtësi “votëbesimin” në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve gjatë së mërkurës, me mbështetjen e partisë së re të qendrës së djathtë, të ndarë më herët nga ish-lideri Silvio Berlusconi.

Duke bërë thirrje për një “fillim të ri”, Letta tha se prioritetet e tij për vitin 2014 do të përfshijnë stimulimin e ekonomisë, reduktimin e papunësisë dhe reformimin e ligjit elektoral të Italisë, të cilin shumë ekspertë e shohin si faktor kontribuues në destabilitetin politik të vendit.

“Do të bëj gjithçka mundem”, theksoi Letta. “Nuk do të dorëzohem përpara atyre, që thonë se kaosi është shumë dhe nuk mund të bëjmë asgjë”.

Votëbesimi u kërkua për të konfirmuar mazhorancën e Letta-s, pasi Berlusconi tërhoqi partinë e tij “Forza Italia” nga koalicioni qeverisës muajin e kaluar.

Prej atëherë, Berlusconi është përjashtuar nga Parlamenti, për shkak të dënimit të tij për evazion fiskal.

Letta tha në Parlament se Italia kishte shmangur reformat për 20 vjet dhe nuk mund ta përballojë më një gjë të tillë, ndërkohë që protestat në vend gjatë kësaj jave theksuan humorin e keq publik.

Ai u zotua se do të luftojë “si një luan” për të përballuar probleme si papunësia e të rinjve, që ka shkuar tashmë në më shumë se 40%.

Vitet e recesionit dhe stanjacionit kanë tkurrur ekonominë, teksa Italia përballet me një korrupsion të shfrenuar dhe një sistem politik të pabesueshëm.

Top Channel