Berlusconi: Revolucion nëse më arrestojnë

12/12/2013 00:00

“Mund të më kontrollojnë telefonin, më kanë marrë pasaportën dhe mund të
më arrestojnë kur të duan. Por unë nuk kam frikë, sepse nëse e bëjnë
këtë në Itali do të ketë një revolucion”.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi për radion franceze Europe 1. “Nuk mund të futësh në burg dikë vetëm sepse po bën fushatë elektorale kundër atyre që kanë përdorur gjyqësorin për ta penguar të bëjë politikë”, ka vijuar kavalieri.

Ai është shprehur se nuk ka frikë të shkoj në burg, por kjo sipas tij do të jetë e vështirë. “Kjo do të jetë e vështirë, pasi do të kem përkrah meje shumicën më të madhe të vendit në zgjedhjet e ardhshme”, ka sqaruar lideri i Forza Italia.

Sipas tij, në Itali nuk ka pasur vetëm një grusht shteti, por plot katër të tillë dhe ndodhin sa herë që një vend nuk mund të qeveriset nga njerëzit e zgjedhur nga populli.

“Jam në fushatë elektorale, po përpiqemi të bindim 24 milionë italianët që janë ende të pavendosur për të votuar të majtën”, ka thënë Berlusconi, për të shtuar:

“Qeveria nuk është më e zgjedhur nga populli. Më 24 maj do të votohet për Europën, kërkojmë të kemi mundësinë që në të njëjtën ditë të votojmë për Italinë”.

Më tej ish-kryeministrit i është kërkuar një opinion mbi kancelaren gjermane Angela Merkel. “Merkel? Ajo sheh interesat e saj. Kjo Evropë ka pasur një politikë që krijon depresion dhe jo zhvillim”, ka thënë ai.

Ndërsa kur është pyetur për ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, ai është përgjigjur me ironi: “Po pyetja tjetër cila është? Po, Putin ka qenë për darkë me mua dy ditë para vendimit të Senatit. Presidenti rus është një mik i shkëlqyer. E njoh që prej 2001-shit”.

Top Channel