Australi, bie legalizimi i martesave gay

12/12/2013 02:50

Gjykata e Lartë e Australisë ka përmbysur një legjislacion, i cili lejonte martesat mes çifteve homoseksuale në Territorin e Kryeqytetit të Australisë (ACT).

Parlamenti i ACT kaloi projektligjin në tetor, duke e bërë këtë territor të parën pjesë të Australisë që legalizonte martesat e të njëjtit seks.

Por, qeveria kombëtare sfidoi vendimin, duke thënë se ai ishte në kundërshtim me ligjet federale.

Rreth 27 çifte, që u martuan që prej hyrjes në fuqi të ligjit gjatë fundjavës së shkuar, do të duhet të deklarojnë bashkimin e tyre si fals.

Legjislacioni lejonte çiftet gay të martoheshin brenda ACT-it, që përfshinte kryeqytetin australian, Canberra, pavarësisht se në cilin shtet jetonin ata.

Ligji federal, gjithsesi, specifikonte që prej 2004 se martesa ishte diçka që kryhej mes një burri dhe një gruaje.

Gjykata e Lartë në Canberra vendosi unanimisht kundër legjislacionit të ACT të enjten, duke thënë se ai ligj nuk mund të qëndronte në të njëjtin nivel me ligjet kombëtare.

“Nëse martesa mes të njëjtit seks do të duhet të parashikohet me ligj, atëherë kjo është një çështje e Parlamentit federal”, thuhej në një deklaratë.

Prokurori i Përgjithshëm, George Brandis, kishte paralajmëruar më parë se ligji lokal mund të sfidohej ligjërisht, pasi ishte në kundërshtim me ligjin kombëtar për Martesat.

Kryeministri Tony Abbott, i cili udhëheq koalicionin Kombëtar-Liberal, kundërshton martesat e të njëjtit seks. Vitin e kaluar, një projektligj që lejonte martesat e të njëjtit seks është votuar në të dy dhomat e Parlamentit kombëtar të Australisë.

Top Channel