Panairi i parë i Turizmit Malor në Shqipëri mblodhi së bashku dhjetra biznese, që operojnë në fushën e hoteleri-turizmit, operatorë turistikë dhe federata të sporteve të ndryshme malore, me qëllim promovimin e turizmit dimëror në vend.

Duke u ndalur te turizmi në përgjithësi, zëvendës/kryeministri Niko Peleshi tha se vendi ynë ka të gjithë potencialin e nevojshëm për t’u zhvilluar në këtë sektor, por deri më tani nuk është vepruar siç duhet.

“Kemi gabuar në mënyrën se si kemi trajtuar bregdetin, në mënyrën se si nuk arritëm dot të planifikojmë në këto vite një energji të madhe të sektorit privat, i cili nuk u drejtua siç duhet për të zhvilluar një turizëm të qendrueshëm. nuk mund të mbyllim sytë para faktit që, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, ka rreth 5-6 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, të cilët nuk funksionojnë”, tha zv/kryeministri Niko Peleshi.

Krahas turizmit bregdetar, i cili zgjat vetëm tre muaj, për të zhvilluar më tej këtë sektor, duke rritur kështu kohëzgjatjen e sezonit turistik në vend, nevojitet kthimi i turizmit malor nga aktivitet sporadik në turizëm të zhvilluar.

“Nuk është gjithçka mundësia financiare, por është edhe kultura. Mungesa e kulturës së deritanishme për turizmin dimëror, për skitë dhe sportet dimërore, të cilat ndikojnë pozitivisht edhe në shëndetin e popullsisë”, tha Gjon Radovani, zv/ministër i Turizmit dhe Zhvillimit Urban.

Pjesë e promovimit të turizmit malor do të jetë nisja e “Javës së Bardhë”, përgjatë së cilës nxënës të shkollave të ndryshme do të organizohen për të vizituar zonat turistike malore në vend.

Top Channel