Programi bërthamor i Iranit

08/12/2013 19:15

Presidenti Barack Obama dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po kërkojnë mbështetje për marrëveshjen e arritur mbi ndalimin e programit bërthamor të Iranit.

Ata kërkojnë të bindin kritikët dhe qeverinë izraelite se lëvizjet e fundit nuk rrezikojnë Izraelin.

Në forumin e qendrës Saban, për politikat në Lindjen e Mesme, që u zhvillua në Uashington DC, Obama tha se marrëveshja do të frenojë pjesët kryesore të programit bërthamor të Iranit.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, tha – në të njëjtin forum – se diplomacia është mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen bërthamore me Iranin.

Kerry, i sapokthyer nga bisedimet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, tha se SHBA-të janë të angazhuara të ndihmojnë për vendosjen e paqes  në Lindjen e Mesme.

Avionët pa pilotë
Izraeli mbetet eksportuesi më i madh në botë

Izraeli, pioner i teknologjisë së prodhimit të avionëve pa pilotë, është ekportuesi kryesor në botë i tyre.

Kjo fuqizon pozitën e vendit, siç thonë ekspertët, tani që kjo industri sa vjen dhe rritet. Blerës nga mbarë bota dhe kompani izraelite morën pjesë në një panair për sigurinë kombëtare.

Marrëdhëniet historikisht të tensionuara me fqinjët arabë e kanë bërë Izraelin dhe ushtrinë e tij, të krijojnë një gamë të gjerë teknologjish të sigurisë kombëtare.

Kompania “G-NIUS” solli në panair robotin ajror luftarak “AvantGuard”, të pajisur me mitraloz dhe sensorë.

Mjete të tilla po përdoren aktualisht nga ushtria izraelite për patrullimin e kufijve, ndërkohë që aftësitë teknologjike të vendit kanë tërhequr blerës nga mbarë bota, në panarin e hapur pranë Tel Avivit.

Trazirat në Tajlandë
Deputetët e opozitës japin dorëheqjen në grup, pas protestave masive

Deputetët e opozitës tajlandeze vendosën të japin dorëheqjen në grup, pas protestave anti-qeveritare në Bangkok, që zgjasin prej një jave.

Të 153 deputetët e Partisë Demokratike, kryesorja në opozitë dhe më e vjetra në vend, vendosën të japin dorëheqjen.

Ata kanë një të tretën e vendeve në Parlamentin me 500 deputetë, ku partia qeverisëse “Feu Tai” mban shumicën.

Qëllimi i protestuesve, të mbështetur nga opozita, është të rrezojnë nga pushteti kryeministren Jingluk Shinauatra, sepse – sipas tyre – është vëllai i saj Thaksin, i cili u rrëzua nga pushteti pas një grushti shteti në vitin 2006, që kontrollon gjithçka.

Në vend të qeverisë, protestuesit kërkojnë ngritjen e “Këshillit të Popullit”. Kryeministrja Jingluk Shinauatra propozoi një referendum për krizën politike në vend.

Ajo ka përsëritur shpesh ditët e fundit, se është e gatshme të shpërndajë Parlamentin dhe të zhvillojë zgjedhje të reja, nëse arrihet marrëveshja me kundërshtarët e saj.

Top Channel