Reagimet pas shortit të Botërorit

06/12/2013 00:00

Pas hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Botërorit “Brazil 2014”, reaguan trajnerët e kombëtareve që në letër janë favorite për të ngritur trofeun më të lakmuar në futboll.

Brazili – Luiz Felipe Scolari do të drejtojë Brazilin në Botërorin që do e luajë në shtëpi dhe duket se kalimi i grupit (Kroaci, Meksikë dhe Kamerun) nuk do të jetë i vështirë: “Në short nuk mund të zgjedhësh. Mund të analizojmë, të luajmë dhe të japim maksimumin për të fituar. Kroacinë e njoh, luan shumë mirë dhe lojtarët e saj luajnë me skuadra të mëdha europiane.”

Spanja – Vicente Del Bosque do të mundohet të mbajë inercinë fituese të viteve të fundit. Tekniku iberik foli për grupin e fortë që do e përballë ekipin e tij me Hollandën, Kilin dhe Australinë: “Nuk është një short i lehtë. Kili bën shumë presing dhe ka eksperiencë, ndërsa Hollanda mbetet e fortë si gjithmonë.”

Hollanda – Louis van Gaal deklaroi se skuadra e tij ra në një nga grupet më të forta të këtij Botërori: “Nëse kalojmë mund të na bjerë Brazili, për këtë arsye nuk është një grup i mirë. Spanja do të jetë një sfidë e madhe për ne. Kilin e kam parë duke luajtur ndaj Kolumbisë dhe është një skuadër e mirë, ndërsa statistikat tona me Australinë nuk janë të mira.”

Italia
– Cesare Prandelli mendon se Italia ka rënë në grupin më të vështirë të këtij Botërori: “Kemi rënë në grupin më të fortë dhe duhet të djersijmë shumë për të kaluar. Më shqetësojnë edhe kushtet klimaterike, por luajtëm në Kupën e Konfederatave dhe jemi mësuar paksa. Objektivi i parë është kalimi i grupit pasi jemi tre përfaqësuese kampione Bote (Itali, Angli dhe Uruguaj).”

Gjermania
– Joachim Low theksoi se ndeshja ndaj SHBA-së do të jetë e veçantë për të pasi do të takohet me Jurgen Klinsmann, teknikun e amerikanëve: “Unë dhe Klinsmann kemi pasur një marrëdhënie të gjatë me njëri-tjetrin dhe gjithmonë kemi shkëmbyer ide për futbollin. Sigurisht që para ndeshjes së Botërorit nuk do flasim për taktika.”

Top Channel