Arrestohet për korrupsion përgjegjësi i sektorit të aktivitetit
kirurgjikal në QSUT, Ilir Broqi. Në pranga edhe sekseri Arben Doda,
ish-punonjës i sigurimit të QSUT-së, pasi dyshohet se u merrte, në emër
të doktorit Broqi, qytetarëve të ndryshëm shuma nga 15.000 lekë të reja
deri me 17.000 lekë të reja në funksion të kryerjes së skanerit të
përgjithshëm.

Policia e Tiranës bëri të ditur se pas një hetimi një mujor, në kuadër të Operacionit policor “Skaner 2013”, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: “Ilir Luigj Broqi, vjeç 41, me detyrë përgjegjësi i sektorit të aktivitetit kirurgjikal në QSUT, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Arben Mhill Doda, vjeç 48, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Top Channel