
Në një ceremoni madhështore, nga Brazili, në orën 17:00 do të hidhet shorti që do të përcaktojë ndarjen në grupe të skuadrave në Botërorin e 2014-s.
32 skuadrat e kualifikuara janë ndarë në katër vazo dhe rregullat e shpërndarjes janë të thjeshta, me përjashtim të Europës që ka 13 përfaqësues në fazën finale, nuk mund të ketë dy ekipe nga i njëjti kontinent në të njëjtin grup.
Vazo e parë, nga e cila vendosen edhe kokat e grupeve përbëhet nga Brazili, Argjentina, Kolumbia, Uruguaj, Belgjika, Gjermania, Spanja dhe Zvicra, që ishin edhe kombëtaret me renditjen më të mirë në klasifikimin e FIFA-s në muajin Tetor, i cili është edhe muaji i marrë për bazë.
Në vazon e fundit, atë të përbërë vetëm nga skuadrat europiane ndodhen nëntë ekipe.
Përpara nisjes së shortit, një prej këtyre ekipeve do të vendoset me short të posaçëm në vazon e dytë, nga ku potencialisht mund t’i rezervohet një grup më i vështirë, pasi do të luajë detyrimisht me një skuadër tjetër europiane dhe një amerikanojugore.
Kjo është ndarja e skuadrave në vazot e shortit
Kokë grupi
Brazili, Spanja, Gjermania, Argjentina, Belgjika, Kolumbia, Zvicra dhe Uruguaj.
Vazo e dytë (Afrikë, Amerikë e Jugut)
Gana, Bregu i Fildishtë, Nigeria, Algjeria, Kameruni, Kili dhe Ekuadori.
Vazo e tretë (Azi, Oqeani, Amerikë e Veriut)
Australia, Japonia, Irani, Korea e Jugut, SHBA, Meksika, Hondurasi dhe Kosta Rika.
Vazo e katërt (Europë)
Italia, Hollanda, Anglia, Portugalia, Greqia, Bosnja, Kroacia, Rusia dhe Franca
Top Channel