Gjiknuri: Duhet gazifikimi i vendit

05/12/2013 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në punimet e forumit të Kaspikut, që u mbajt në datat 4 dhe 5 dhjetor, në Stamboll të Turqisë.

“Forumi Kaspik” është një platformë, që eksploron potencialin ekonomik, politik dhe strategjik të rajonit të Kaspikut, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit dhe partneritetit.

Ministri ishte pjesë e panelit me temë “Korridori i Gazit Jugor, nyja më e rëndësishme e sigurisë energjetike të rajonit”, ndërsa iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të rastit.

Gjiknuri nënvizoi rëndësinë, që ka projekti i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, rajonin dhe më tej, për Europën në tërësi. Në vlerësimin e ministrit, Shqipëria, ashtu sikurse edhe vende të tjera të rajonit, kanë nevojë të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe jo thjesht të mbeten vende tranzit të këtij projekti.

Ministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që ky projekt të zbatohet në kohë, por njëkohësisht po lobon aktivisht me shumë partnerë strategjik, siç mund të jenë SOCAR apo kompani turke, për t’u përfshirë në zhvillimin e rrjetit të gazit në vend, por edhe më gjerë, duke përfshirë dhe Kosovën e Malin e Zi, si dy vende të tjera të pagazifikuara.

Gjiknuri vlerësoi se, nevoja për gaz në Shqipëri dhe rajon sa vjen e rritet, sidomos për gjenerim elektriciteti, por edhe për përdorim industrial.

Gjatë punimeve të forumit, Gjiknuri zhvilloi takime të veçanta edhe me drejtuesit e kompanisë SOCAR, duke i kushtuar vëmendje thellimit të bashkëpunimit, në drejtim të hartimit të master-planit për tregun e gazit në Shqipëri.

Me drejtuesit e SOCAR u ra dakord, që të formohet një grup i përbashkët pune për të avancuar në këtë drejtim, duke sjellë ekspertët në terren për të vlerësuar të dhënat.

Ministri Gjiknuri u takua në këtë forum edhe me drejtues të shoqërisë BP, dhe disa shoqëri turke në fushën e gazit, ndërsa pati një bashkëbisedim edhe me ministrin turk të Energjisë.

Top Channel