E drejta e autorit, inspektim në 60 subjekte nga ZSHDA

05/12/2013 00:00

Një rrugëzgjidhje e studentëve për të minimizuar shpenzimet vjetore të familjeve të tyre, është fotokopimi i librave me një çmim të lirë e sa më pranë godinës së fakultetit.

Megjithatë, sipas ligjit shqiptar për të drejtën e autorit, shumëfishimi i librave pa të drejtën e autorit është një akt i dënueshëm që penalizohet me gjoba që variojnë nga 1 milion deri në 10 milionë lekë të vjetra.

Prej një muaji e gjysmë, inspektorët e Zyrës Shqiptare të Drejtës së Autorit kanë inspektuar rreth 60 subjekte të kategorive të ndryshme siç janë shtëpitë botuese, kancelaritë, libraritë dhe pikat e fotokopjeve.

Sipas drejtorit të ZSHDA-së, Mujo Buçpapaj, do të bllokohen librat e fotokopjuar pa lejen e autorit. Ndërkohë, gjatë kontrollit të pikave të fotokopjimit, ato janë vënë në dijeni se ndalohet fotokopjimi i paautorizuar i librave dhe veprave që mbrohen me të drejtë autori.

Evien Dako, shef i departamentit të inspektimit në ZSHDA, deklaroi: “Morëm shkas nga Panairi i Librit dhe ndërmorëm një fushatë për të mbrojtur librin. Librat që fotokopjohen duhet të japin fitime për mbajtësin e të drejtës së autorit.“

Top Channel