Hezbollah, akuza të ashpra Arabisë Saudite

04/12/2013 02:50

Lideri i Hezbollahut në Liban ka akuzuar Arabinë Saudite se fshihet pas dy sulmeve vdekjeprurëse me bombë të muajit të kaluar, që kanë pasur për objektiv ambasadën iraniane në Bejrut.

Komentet e së martës të sheikut Hassan Nasrallah shënojnë herën e parë që Hezbollah ka akuzuar hapur Mbretërinë Arabe, duke shënuar kështu një përshkallëzim të ashpër në retorikën e grupit musliman shiit.

Një grup i lidhur me al-Qaeda-n ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 19 nëntorit, që vrau 23 persona, duke thënë se ai veprim erdhi si kundërpërgjigje ndaj përfshirjes së Hezbollahut dhe Iranit në Siri.

Nasrallah tha se marrja e përgjegjësisë ishte e besueshme, por akuzoi inteligjencën saudite se ka ofruar mbështetje për këtë organizatë. Ai tha gjithashtu se inteligjenca saudite fshihet edhe pas sulmeve të përditshme në Irak.

Nasrallah foli në një intervistë të së martës për rrjetin televiziv privat të Libanit, OTV.

Ndërkohë, në Liban, përplasjet vazhduan edhe gjatë së martës mes grupeve të armatosura libaneze, që mbështesin palët opozitare në luftën e Sirisë, si dhe janë arrestuar 21 luftëtarë nga ushtria, e cila ka marrë një mandat 6-mujorsh për t’i dhënë fund luftimeve gjakderdhëse në qytetin e Tripolit.

Konflikti mes shumicës së muslimanëve sunitë, në distriktin Bab al-Tabbaneh, dhe fqinjit më të afërt alauit, distrikti Jebel Mohsen, në qytetin e Tripolit, ka vrarë më shumë se 100 njerëz gjatë këtij viti.

Nga sulmi i 19 nëntorit pranë ambasadës iraniane në Tripoli të Libisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA