
Nico Hulkenberg, i cili këtë vit ka qenë pilot i Sauberit, do të kthehet të pilotojë për Force India në sezonin e ardhshëm të Formulës 1. Lajmin e ka bërë të ditur vetë skuderia Force India, por nuk ka publikuar kohëzgjatjen e kontratës së re të gjermanit.
26-vjeçari ka qenë pjesë e Force India në vitin 2011 dhe 2012 dhe përgjegjësi i kësaj skuderie, Vijay Mallya, theksoi se Hulkenberg ka treguar talentin e tij të jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe e për këtë arsye është përzgjedhur të jetë sërish piloti zyrtar i vitit 2014.
Vetë Hulkenberg deklaroi: “Jam shumë i lumtur për rikthimin tek Force India. Për vitin e ardhshëm motivimi është i madh. Eksperienca që kam grumbulluar në F1 shpresoj të më ndihmojë në arritjen e objektivave. Mendoj se do të kemi një paketë kompetitive sepse kam dëgjuar fjalë shumë të mira për motorin Mercedes.”
Nico Hulkenberg përfundoi në vend të dhjetë Botërorin e këtij viti të Formulës 1 pasi grumbulloi 51 pikë. Renditja më e mirë e tij ishte vendi i katërt në Cmimin e Madh të Koresë së Jugut.
Top Channel