Skënderbeu mundi 2-0 Flamurtarin, pa tifozë në Korçë, dhe vazhdon të qëndrojë i vetëm në krye të Kategorisë Superiore.
Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në minutën e 32, nga Arapi. Pak minuta më pas, portieri Moçka u ndëshkua me të kuq, pasi pengoi jashtë zone Orelesin.
Avantazhi në rezultat dhe epërsia numerike në lojtarë i dhanë mundësinë Skënderbeut të dominojë lojën dhe të shënojë dhe golin e dytë, me autor Pero Pejiç, në minutën e 54. Ky është goli i pestë për sulmues kroat në këtë kampionat.
Vllaznia pësoi humbjen e tretë radhazi në Superiore, një tregues i qartë ky, që diçka nuk po shkon mirë te skuadra shkodrane.
Ekipi i drejtuar nga Canaj, këtë herë, u mund 1-2 nga Kukësi i Shensojit. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, me Seminën, shkodranët e kanë lëshuar lojën në pjesën e dytë, duke i dhënë mundësinë kuksianëve të shënojnë dy herë, me Shametin dhe Popoviç.
Partizani bëri mrekullinë në “Qemal Stafa”, pasi përmbysi rezultatin dhe mposhti 2-1 Laçin në 2 minutat e fundit të ndeshjes. Kurbinasit shënuan të parët, me Veliajn, ndërsa përpjekjet e të kuqve u shpërblyen në fund.
Golat e Maliqit dhe Hyshmerit e kanë ngjitur Partizanin e Likës në vendin e dytë, 3 pikë më pak se Skënderbeu kryesues.
Top Channel