Sot është dita ndërkombëtare e AIDS. Në Shqipëri numërohen 671 persona të prekur, ndërsa 96 raste janë regjistruar vetëm këtë vit.

Në këtë ditë, në mbarë Botën të gjithë bëhen bashkë në luftën ndaj virusit Hiv që merr jetën e miliona personave.

Sonte në mbrëmje, në orën 20.05, emisioni Excluzive sjell historinë 20-vjeçare që nga momenti kur në vendin tonë është regjistruar personi i parë me virusin Hiv.

Po ashtu, vjen apeli i mjekëve dhe specialistëve për parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e të gjithë të prekurve.

Hiv-Aids, alarm në Greqi
Kriza ka sjellë shkurtimin e  shpenzimeve për të gjithë të prekurit

Duke dhënë mesazhin “Bëjeni zero numrin e personave me HIV-AIDS ,numrin e vdekjeve, diskriminimin ndaj të infektuarve”, ka filluar prej ditës së shtunë, në Greqi, një fushatë nëpërmjet mediave sociale dhe shpërndarjes falas të prezervativëve dhe broshurave me udhëzime përkatëse, për përballimin e rritjes dramatike të personave të infektuar në 4 vitet e fundit.

13.496 vetë janë regjistruar prej vitit 1981 me virusin vdekjeprurës, prej të cilëve 2.380 kanë humbur jetën, 3.504 janë bartës dhe 6.150 kurohen me terapitë përkatëse. Lajmi shpresëdhënës është se, numri i atyre që vuajnë nga SIDA është reduktuar, si rrjedhojë e terapive të reja që praktikohen. Por, negativ është fakti se, shumica e rasteve të reja i përkasin grup-moshës nga 25-40 vjeç.

“Këtu më kanë ndihmuar shumë, kam mbështetje psikologjike, ndihem shumë e sigurt, ka një mjek këtu çdo ditë, në rast se ka të sëmurë. Në qoftë se ne kemi probleme psikologjike, ka edhe një psikolog”, ka thënë një nënë e infektuar me HIV-AIDS.

Por, ka vetëm dy qendra të vogla, në të gjithë Greqinë, për mbështetjen e disa prej pacientëve të infektuar, dhe asnjë për përdoruesit intravenozë të drogës, në një moment kur, prej vitit 2011, kriza ekonomike ka sjellë shkurtimin radikal të shpenzimeve në sektorin e Shëndetësisë.

“Sigurisht ne bëmë diçka të mirë, pavarësisht burimeve të kufizuara. Kryesisht, frika ime është tani se çfarë do të ndodhë, nëse ne nuk vazhdojmë të realizojmë disa projekte thelbësore për parandalimin e HIV-it, dhe sidomos në qoftë se ne nuk do të shpenzojmë më shumë, të paktën në sektorin e shëndetit publik”, tha Giorgos Nikolopoulos, epidemolog i KEELPNO.

Në dhjetë-mujorin e parë të këtij viti, numri i rasteve të reja te përdoruesit e drogës me injektim, për shkak të niveleve të ulta të shërbimeve parandaluese, si rezultat i krizës, ka shkuar në 792, shifër më e ulët se viti i kaluar, por përsëri alarmante për një shtet anëtar të BE.

Top Channel