Sezoni festiv në DigitAlb/ Me Paketën Premium përfitoni Champions League, Serie A dhe Big Brother
Gjashtë persona janë arrestuar nga agjentët e National Crime Agency në Britani, në kuadër të një hetimi mbi fiksimet e ndeshjeve në futbollin anglez.
Të paktën tre futbollistë raportohet të jenë mes personave të arrestuar në mbarë vendin, por sipas BBC asnjë prej tyre nuk është i lidhur me klubet profesioniste.
NCA deklaroi se në fokus të operacionit ishte një sindikatë ndërkombëtare bastvëniesh ilegale. Mendohet se të dyshuarit po mbahen nga policia në Midlends.
NCA u themelua këtë vit për të luftuar krimet serioze dhe ato të organizuara. Ajo njoftoi se po punonte ngushtë me Komisionin e Lojrave të Fatit dhe Federatën e Futbollit. “Ky është një hetim në zhvillim dhe për momentin nuk mund të publikojmë detaje të tjera”, deklaroi një zëdhënës.
Ndërkohë, Federata e Futbollit tha se është vënë në dijeni të arrestimeve. “Ne kemi punuar ngushtë me autoritetet në lidhje me dyshimet që kishim. Federata nuk do të bëjë komente të mëtejshme mbi këtë çështje, pasi hetimi është ende në vazhdim”, thuhet në një deklaratë.
“Komisioni i Lojrave të Fatit deklaroi se kishte ofruar këshilla, informacione dhe ekspertizë në mbështetje të hetimit dhe vijon bashkëpunimin me NCA-në dhe Federatën”, vijon një njoftim tjetër.
Edhe prokurorët deklaruan ndërkohë se ishin koordinuar me NCA-në gjatë hetimit. Arrestimet u mundësuan pas një hetimi “undercover” të një reporteri të gazetës “Daily Telegraph”.
Në të thuhet se anëtari i një sindikate bastesh ilegale nga Singapori kishte diskutuar mundësinë e fiksimit të rezultateve në ndeshjeve të kategorive të ulëta angleze për 50 mijë stërlina, në një takim të zhvilluar në Mançester.
Top Channel