45-vjetori i Teatrit të Gjirokastrës

28/11/2013 00:00

Teatri profesionist i Gjiroakstrës ka kremtuar mbrëmjen e 27 nëntorit 45-vjetorin e krijimit të tij. Historiku i këtij institucioni prezanton një rrugëtim të gjatë e të mundimshem, sidomos gjatë dy dekadave të fundit ku  kanë munguar pothuajse plotësisht investimet dhe prurjet në aktorë të rinj.

Megjithatë në këndvështrimin e ekspertëve të teatrit kjo trupë ka sfiduar me pasion kushtet e vështira të tregut për artin dhe ka sjellë para publikut shfaqje të arrira duke ndihmuar në emancipimin e përgjithshëm kulturor të shoqërisë gjirokastrite.

Teatri  i  Gjirokastrës u krijua në vitin 1968. Trupa e parë e këtij teatri  kishte në përbërjen e saj vetëm 6 aktorë.  Në 45-vjetorin e krijimit në hollin e teatrit “Zihni Sako” u çel një ekspozitë fotografike të cilat sollën përpara të pranishmëve çaste të  spektakleve teatrore ndër vite.

Festimet u shoqëruan nga shfaqja e fragmenteve filmike nga pjesë të ndryshme teatrore  të vëna në skenë kryesisht pas viteve  ‘90. Në 45-vjetorin e krijimit trupa aktuale e aktorëve shfaqi dramën “Babai” të autorit Ruzhdi Pulaha.

Aktiviteti i trupës teatrore të qytetit të Gjirokastrës shtrihet në dy  kohë. Në këtë teatër kanë kontribuar emra të njohur të skenës shqiptare si regjisori Piro Mani dhe aktori Ndrek Luca.

Kulmin  e krijimtarisë së vet ky teatër e ariti në vitet 1990, ndërkohë që më pas numri i aktorëve erdhi duke u pakësuar dhe sot teatri ka të njëjtin numër aktorësh si përpara 45  vitesh.

Top Channel