Putin: Ukrainë-BE kërcënon ekonominë tonë

27/11/2013 00:50

Marrëveshja për tregtinë e lirë Ukrainë-BE do të përbënte një “kërcënim të madh” për ekonominë e Rusisë, ka bërë të ditur presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tha se Rusia do të përmbytej me mallra europiane praktikisht pa paguar tarifa, për shkak të një regjimi ekzistues të tregtisë së lirë mes Kievit dhe Moskës.

Kievi, javën e kaluar pezulloi nënshkrimin e parashikuar të një marrëveshjeje, duke nxitur BE-në të akuzojë Moskën për ushtrim presioni ndaj Ukrainës. Lëvizja shkaktoi gjithashtu mbajtjen e protestave masive pro-europiane në Ukrainë. Por, lideri i Ukrainës tha se dëshironte kushte më të mira në marrëveshje.

“Sapo të arrijmë një nivel më komod për ne, kur marrëveshja të plotësojë interesat tona, kur ne të dakordësohemi mbi kushte normale, atëherë do të flasim për nënshkrimin e saj”, tha presidenti Viktor Yanukovych, për kanalet televizive të Ukrainës. “Se kur do të ndodhë kjo, herët apo vonë, koha do ta tregojë. Do të doja që ajo kohë të vinte sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Demonstruesit janë betuar se do të vazhdojnë daljet masive në rrugë, të paktën deri në fund të samitit të BE-së në Vilnius të Lituanisë, më 29 nëntor, kur Ukraina planifikonte të nënshkruante marrëveshjen për tregtinë e lirë dhe atë të Stabilizim-Asociimit.

Duke folur gjatë një vizite në Itali, presidenti Putin tha se ekonomia e Rusisë do të goditej nëse mallrat europiane, të konsideruara nga analistët rusë si të cilësisë së mirë dhe relativisht të lira, do të lejoheshin të hynin tranzit në Rusi, përmes Ukrainës, me të cilët ka një regjim pa tarifa.

Ai tha se agrikultura ruse, industritë e makinave dhe aviacionit do të vuanin për shkak se do të kishte një rritje të papunësisë. “Nuk jemi gati t’i hapim dyert ndaj mallrave europiane”. Putin nxiti gjithashtu zyrtarët e BE-së të përmbahen nga “fjalët e mprehta” mbi këtë çështje.

Duke iu referuar atyre si “miqtë tanë në Bruksel”, ai tha: “Mos vallë duhet të përmbytim të gjithë sektorët e ekonomisë sonë, që ata të na duan?”.

Top Channel