Korçë, Gjykata la në burg gardianët

27/11/2013 22:45

Një maratonë seancash gjyqësore është zhvilluar në Gjykatën e Korçës, për pjesën më të madhe të punonjësve të arrestuar të Burgut të Drenovës.

Gjykata dha masën e detyrimit të paraqitjes vetëm për dy operatorët e informacionit, Luljeta Dvorani dhe Suzana Sejdarasi, ndërsa gjithë të tjerët u lanë në arrest me burg.

Për rreth 9 orë, seancat u zhvilluan njëra pas tjetrës me dyer të mbyllura për punonjësit, ndaj të cilëve rëndon akuza për shpërdorim detyre.

Shpëtim Peronka, roje në Burgun e Drenovës; Margel Rushani dhe Valdet Braholli, pjesë e grupit të gatshëm; Riza Spahiu, ndihmës i operatorit; Edmond Qarri, polic në tunelin e burgut; Altin Sulo, përgjegjës i sigurisë; Terpo Gjano, specialist informacioni; Arben Potka, gardian; Bledar Kollçinaku, polic në rrethimin e jashtëm; Bledi Hysolli e Sotir Tanushi, në grupin e sigurisë; Luan Liçkollari, përgjegjës kollone; Ferdinand Belimani, gardian; Jani Mitre, specialist i regjimit të brendshëm; dhe Valter Gjalpi, polic vrojtimi; u lanë nga gjykata në arrest me burg.

Të mbrojtur nga avokatë të ndryshëm, të akuzuarit kanë sjellë edhe versionet e argumentat e tyre në sallën e gjykimit, ku pjesa më e madhe e tyre kanë theksuar se, në momentin e ngjarjes, ende nuk e kishin marrë detyrën.

Ndërsa për të tjerët që ishin në detyrë, thanë se nuk mund të vepronin për arsye të ndryshme, si kërcënimi me armë i të burgosurve, mungesa e fushëpamjes etj.

Top Channel