Përplaset avioni në aeroportin e Karolinës së Veriut, 6 persona humbin jetën, autoritetet: Shpërtheu në flakë
E mërkurë, 27 nëntor 2013. Mund të jetë dita e fundit si parlamentar (ndoshta dhe si politikan) e Silvio Berlusconi-t, pas thuajse 20 viteve dominimi të politikës italiane.
Parlamenti italian pritet të votojë pasditen e së mërkurës “dëbimin” (ose jo) të “Kavaljerit” nga postet publike, ashtu sikundër e kërkon vendimi i gjykatave që e dënuan ish-kryeministrin për evazion fiskal.
Vetë Berlusconi po sot u ka kërkuar mbështetësve që të derdhën në rrugët dhe sheshet e Romës për të protestuar, kundër asaj që ai e quan “cënim të demokracisë”.
Pikërisht ky votim përcau për të disatën herë partinë e Berlusconi-t, pas kërkesës së tij për t’u larguar nga qeveria Letta. Por ish-krahu i tij i djathtë, Angelino Alfano dhe një grup i konsiderueshëm parlamentarësh të tjerë, braktisën PDL dhe Berlusconi-n dhe dolën në mbrojtje të qeverisë Letta, e formuar me të majtët e PD-së.
Këta të fundit kanë njoftuar në bllok votën pro shkarkimit të Berlusconi-t si Senator dhe atyre u bashkohen edhe votat e Lëvizjes së 5 Yjeve të Grillos.
Por kush ishte Berlusconi? Erdhi në pushtet për herë të parë në maj të 1994 Berlusconi . Drejtonte një kabinet të mbushur me politikanë të rinj, por edhe me përvojë, që “Kavaljeri” mblodhi rreth vetes.
Mes aleatëve të hershëm të tij në parlament ishte edhe Umberto Bossi i “Lega Nord”. Më 21 dhjetor të 1994-ës, Berlusconi mban në sallën e parlamentit një fjalim kundër “tradhtarit me personalitet të dyfishtë”, sic e quan ai Bossin, dhe mes tyre nis një gjuhë e ashpër polemikash. Bossi largohet nga koalicioni dhe në janar të 1995 ‘Berlusconi 1’ bie.
Dy vite më vonë nis ajo që Berlusconi e quan “udhëtimi i gjatë nëpër shkretëtirë”. Rikthehet në pushtet në qershor të 2001-it. Në 2005 shpërndan kabinetin dhe i kërkon Presidentit të Republikës miratimin e një tjetër kabineti, me po të njëjtët aleatë, por me ministra të rinj.
Në 17 maj të 2006-ës lë postin e kryeministrit pas humbjes në zgjedhjet e atij viti dhe në pushtet vjen e majta sërish me Romano Prodin. Por dy vite më vonë, Prodi bie dhe vendi shkon sërish në zgjedhje.
Zgjedhjet e prillit të 2008-ës rikthejnë sërish në pushtet “Kavaljerin”. Por ky mandat i shoqëruar me skandalet e shumta të jetës personale dhe gjyqet e akuzat e njëpasnjëshme detyron Berlusconi-n të japë dorëheqjen më 16 nëntor dhe në vend të tij të vinte Mario Monti.
Monti drejtoi vendin në periudhën e krizës financiare deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në shkurt të këtij viti. Rezultati nxorri fitues të majtën, por befasoi M5S e Grillos. Megjithatë, të majtët nuk kishin votat e nevojshme për të qeverisur, ndaj pas refuzimit të M5S iu drejtuan të djathtës për një koalicion të pazakontë në jetën politike të vendit.
Por kur do të votohet qëndrimi i Berlusconi-t në parlament ose jo, “Kavaljeri” bëri thirrje për largimin e të tijëve nga qeveria. Kjo lëvizje përcau ish-PDL në ditën e transformimit të saj dhe rilindjes së “Forza Italia”, një grup ligjvënësish dhe gjithë ministrat e kabinetit të së djathtës, dolën kundër Berlusconi-t dhe bënë thirrje për të ndarë cështjen e votimit për qëndrimin e tij në senat ose jo me atë të mbështetjes së qeverisë.
Në 20 vjet karrierë politike, Berlusconi është përballur me drejtësinë plot 32 herë, nga të cilat vetëm një herë është dënuar, pikërisht për akuzën e evazionit fiskal me blerjen e filmave hollivudianë nga Mediaset.
Por pavarësisht skandaleve, “Kavaljeri” do të mbahet mend si kryeministri me jetëgjatë italian pas Luftës së Dytë Botërore dhe emri që ka qeverisur vendin në total, për 9 vjet.
Top Channel