F1, Montezemolo bën bilancin e Ferrarit

27/11/2013 00:00

Ka përfunduar kampionati i Formulës 1 dhe tashmë është koha për të bërë bilancin e një sezoni të gjatë. Luca Cordero di Montezemolo ka bërë pikërisht këtë gjë në një intervistë për Rai 1.

Presidenti i Ferrarit theksoi se ky ishte një vit për t’u harruar për skuderinë italiane: “Pa dyshim që është një vit për t’u harruar, një sezon zhgënjyes. Tre janë arsyet sipas meje. E para, nuk e zhvilluam dot makinën në pjesën e dytë të sezonit dhe unë dua shpjegime. E dyta, gomat. Jo për të gjetur justifikime, por ne bëmë një makinë për një tip të caktuar gomash e më pas këto goma u ndërruan në mes të kampionatit. E treta, na munguan pikët e Felipe Masës tek renditja e Konstruktorëve.”

Montezemolo pati vetëm fjalë të mira për Fernando Alonson: “Duhet të ndihet krenar për vendin e dytë që arriti në renditjen e përgjithshme. Ne duhet t’i japim një makinë më të mirë që ai të marrë maksimumin. I kam vënë notën 8 dhe jo 10 pasi dua ta motivoj për vitin tjetër. Dua që Alonso të ketë një makinë edhe më të mirë se ajo Red Bull.”

Në lidhje me çiftin Alonso-Raikkonen të sezonit të ardhshëm, Montezemolo garantoi se nuk do të ketë probleme mes tyre: “Ai që ka nderin dhe përgjegjësinë të pilotojë një Ferrari duhet të mendojë në radhë të parë për skuderinë dhe jo për veten. Nuk ka asnjë shans që pilotët tanë të dëmtojnë njëri-tjetrin. E kemi marrë sërish Raikkonenin pasi ka eksperiencë dhe për faktin se është paraqitur shumë mirë në dy vitet e fundit. Jam i sigurtë që Fernando dhe Kimi do e ndihmojnë njëri-tjetrin.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB