Berlusconi voton kundër buxhetit, si opozitar

27/11/2013 03:35

Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, ka marrë një votëbesim mbi buxhetin e 2014-s, pavarësisht kundërshtimit të hapur të Berlusconi-t, partia “Forza Italia” e të cilit ka nisur një betejë opozitare, pas përçarjes në grupin e qendrës së djathtë, që ai udhëhoqi që prej vitit 2007.

Të mërkurën, Senati pritet të votojë mbi përjashtimin e Berlusconi-t nga Parlamenti, për shkak të akuzave penale ndaj tij.

Ish-kryeministri italian ka bërë thirrje ndaj mbështetësve të tij të protestojnë në Romë, gjatë së mërkurës, kundër asaj që ai e quan një hakmarrje politike.

Berlusconi u shpall fajtor për evazion fiskal në tetor 2012, në lidhje me marrëveshjet që firma e tij “Mediaset” kishte bërë mbi të drejtat televizive të filmave amerikanë. Verdikti i gjykatës u la në fuqi në muajin gusht të 2013-s.

Nëse Berlusconi përjashtohet nga Parlamenti, ai do të humbasë imunitetin kundrejt Prokurorisë dhe mund të arrestohet për çështjet e tjera penale të ngritura ndaj tij.

Ai u tha gazetarëve, gjatë së martës, se partia e tij do të votonte kundër buxhetit. Vetëm pak momente më vonë, lideri i “Forza Italia” në Dhomën e Ulët, Renato Brunetta, deklaroi se “nga sot (e martë), ne jemi në opozitë dhe koalicioni i madh ka marrë fund”.

Gjithsesi, buxheti kaloi në Senat me 171 vota pro dhe 135 kundër, i ndihmuar edhe nga mbështetja e ligjvënësve, që u larguan nga Berlusconi në fillim të këtij muaji.

Grupi prej 60 senatorësh i qendrës së djathtë u nda nga “Forza Italia”, për të formuar “Qendrën e Re të Djathtë”, që tashmë udhëhiqet nga ish-krahu i djathtë i Berlusconi-t, zëvendës/kryeministri Angelino Alfano.

Presidenti Giorgio Napolitano tha më pas se votimi i së martës për buxhetin ishte një miratim për qeverinë, siç raportojnë mediat italiane.

Kryeministri tha gjithashtu të martën, se ai do të punonte “vazhdimisht për të shmangur një situatë kaotike në Itali”, duke shtuar: “Ajo që ndodhi te qendra e djathtë do të ndihmojë stabilitetin e Italisë dhe për këtë jam i sigurt”.

Top Channel