Ukrainë, Tymoshenko nis grevën e urisë

26/11/2013 02:50

Policia ukrainase përdori gazin lotsjellës ndaj demonstruesve pro-europianë ndërsa autoritetet kërkuan izolimin e lideres së burgosur të opozitës, Yulia Tymoshenko, pasi kjo e fundit nisi grevën e urisë për refuzimin që i bëri Kievi paktit të MSA-së me Bashkimin Europian, nga presioni i Moskës.

Liderët e BE-së lëshuan një kritikë të pazakontë e të fuqishme kundër Rusisë gjatë së hënës, ku theksuan se oferta ndaj Ukrainës mbetet mbi tryezë, pavarësisht shanseve të pakta për nënshkrimin e saj në samitin e BE-së, të premten, siç ishte planifikuar fillimisht.

BE-ja kishte kërkuar lirimin e Tymoshenko-s si kusht vendimtar për vazhdimin e negociatave për MSA-në, gjë që u refuzua nga qeveria ukrainase, që bëri një kthesë të papritur ndaj Rusisë për të nënshkruar me të një marrëveshje tregtare.

Policia u përplas me protestues të shumtë, të mbledhur për të dytën ditë radhazi në Kiev, ndërkohë që organizatorët bënë thirrje ndaj popullit të qëndronin nëpër rrugë, edhe pse numri i tyre ishte më i vogël se sa të dielën, kur u shënua protesta më e madhe në vend, që prej Revolucionit Portokalli, lëvizje pro-demokratike, 9 vjet më parë.

Presidenti Viktor Yanukovich, duke kërkuar shpërndarjen e presionit nga rrugët, gjë që i mohoi atij edhe Presidencën herën e parë gjatë 2005-s, tha se refuzimi i paktit me BE-në ishte i vështirë, por i pashmangshëm, duke nënkuptuar se rregullat e BE-së ishin shumë të ashpra kundrejt ekonomisë së brishtë të vendit të tij.

Ai u zotua të krijonte “një shoqëri me standardet europiane”. “Politikat e mia kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbeten në përputhje me këtë rrugë”, tha ai në një transmetim televiziv, gjatë së cilës nuk përmendi marrëdhëniet me Rusinë, apo t’i referohej presionit të BE-së për lirimin e Tymoshenko-s, kundërshtares më të ashpër të tij.

Vetëm pak minuta nga adresimi i tij publik, një turmë e madhe zbriti rrugëve të Kievit, pranë sheshit “Europa”, ku forcat speciale përdorën edhe plumba manovre dhe gaz lotsjellës për disa minuta, kundër një grupi të vogël protestuesisht, të cilët ishin shkëputur nga turma e madhe e demonstruesve.

Ish-ministri i Ekonomisë, Arseny Yatsenyuk, një nga liderët e opozitës, denoncoi adresimin e Yanukovich si një përpjekje “për të justifikuar politikën e tij absurde”, ndërkohë që avokati mbrojtës i Tymoshenko-s u tha të pranishmëve në rrugë se ajo do të hynte në grevë urie, për të detyruar Yanukovich të ndryshonte mendjen.

“Si shenjë bashkimi me ju, deklaroj grevën e pacaktuar në kohë të urisë, të shoqëruar me kërkesën ndaj Yanukovich për të nënshkruar MSA-në me BE-në”, tha 52-vjeçarja Tymoshenko, në një mesazh ndaj protestuesve të lexuar nga vet avokati i tij, Serhiy Vlasenko.

Shërbimi i burgut ukrainas bëri të ditur se do të ndalonte të gjitha vizitat ndaj të dënuarve në qytetin e Kharkiv-it, aty ku Tymoshenko po trajtohet, duke cituar rrezikun shëndetësor për shkak të shpërthimit të një infeksioni respirator në qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA