Trajneri shqiptar Shpëtim Duro ka marrë nga e hëna drejtimin e skuadrës “Shkëndija” e Tetovës.
Duro ka zëvendësuar trajnerin maqedonas, Gjore Jovanovski, nën udhëheqjen e të cilit “Shkëndija” ka treguar rezultate të dobta në këtë sezon.
Trajneri i mirënjohur shqiptar, i cili të hënën ka drejtuar seancën e parë stërvitore të klubit tetovar, ka thënë se posedon njohuritë e nevojshme për kampionatin më elitar të futbollit në Maqedoni dhe ka premtuar se do të bëjë maksimumin për të përmirësuar gjendjen në skuadrën “kuq e zi” nga Tetova.
“Drejtimi i Shkëndijes së Tetovës është një eksperiencë dhe përvojë e veçantë. Është në një moment jo pozitiv, sidomos psikologjik, pas eliminimit në Kupë dhe humbjes së fundit. Është një skuadër që ka emër në Maqedoni dhe ka në përbërje lojtarë me eksperiencë, por sigurisht këta futbollistë duhet ta kenë të qartë se përfaqësojnë fanelën e Shkëndijës dhe duhet të justifikojnë edhe impenjimin e kryesisë së klubit”, ka thënë Shpëtim Durro, trajneri i ri i “KF Shkëndija”.
Në një komunikatë për mediat, kryesia e skuadrës tetovare bën të ditur se Duro është emëruar fillimisht trajner i parë i Shkëndijes, për ta stabilizuar ekipin në tre ndeshjet e mbetura të sezonit vjeshtor. Shkëndija është një nga skuadrat më të suksesshme shqiptare në historinë e futbollit në Maqedoni.
Top Channel