Franca, 1 mijë trupa në Afrikën Qëndrore

26/11/2013 16:10

Franca do të dërgojë rreth 1 mijë trupa të tjerë në Republikën e Afrikës Qëndrore, të trazuar së fundmi nga një sërë konfliktesh të brendshme.

Diçka e tillë u konfirmua nga ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves le Drian, në një intervistë radiofonike gjatë ditës së martë.

Duke folur në radion “Europe 1”, Le Drian theksoi se paqeruajtësit francezë do të kenë një mision 6-mujor dhe se veprimet e tyre do të koordinohen me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimin Afrikan.

Aktualisht, Franca ka dërguar 400 ushtarë në Republikën e Afrikës Qëndrore, të angazhuar me detyrën e mbrojtjes së shtetasve francezë të pranishëm në shtetin e varfër afrikan.

Më parë gjatë Nëntorit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se grupet e armatosura po nxisin një konflikt fetar, duke vënë muslimanët dhe të krishterët kundër njëri-tjetrit.

Ban gjithashtu mbështeti dërgimin e një misioni paqeruajtës të OKB-së, “përpara se kriza të marrë përmasa të paimagjinueshme”.

Republika e Afrikës Qëndrore, një prej vendeve më të varfëra të planetit, ndodhet i zhytur në një situatë të plotë kaotike, që kur kryengritës të armatosur rrëzuan qeverinë e ligjshme në muajin Mars.

Një aleancë e përbërë nga disa grupime rebele e njohur si “Seleka” mundësoi largimin e presidentit Francois Bozize dhe zëvendësimin e tij me komandantin e tyre, Michel Djotodia.

Tashmë në cilësinë e presidentit, Djotodia ka shpërndarë forcat rebele, duke i integruar trupat në ushtrinë e rregullt, pozicion që shumë kryengritës e kanë përdorur për të terrorizuar zona të tëra të vendit nëpërmjet plaçkitjeve, përdhunimeve apo vrasjeve.

Top Channel