Superkupa e Italisë, fituesi merr deri në 11 milionë euro. Fitojnë edhe ata që nuk luajnë
Një femër që gjykon meshkujt në fushën e futbollit! Tani mund të jetë bërë e zakonshme, por 6 vite më parë ishte pothuaj e pabesueshme.
Fatjona Borova, vajza shkodrane që e adhuronte futbollin që në vogëli, tashmë është një arbitre strikte që vë në rreshtore një skuadër të tërë dhe gjykon çdo javë ndeshje futbolli.
Tashmë ajo është 21 vjeç dhe arbitron ndeshje ku luajnë 17 dhe 19-vjeçarë. Sigurisht jo pa vështirësi, por me kalimin e kohës ajo ka arritur të kuptojë rëndësinë e kartonit dhe të vendosë autoritetin e saj në fushën e blertë.
Ka provuar të luajë edhe vetë futboll, kur u krijuan ekipet e femrave, por ka vendosur të heqë dorë duke i qëndruar besnike vetëm arbitrimit. Vitin që shkoi ishte pjesë eksperimentimit që bëri Federata Shqiptare e Futbollit duke aktivizuar arbitre femra në ndeshje të Superligës. Bashkë me kolegen e saj, Klesta Gjyli, ajo ishte arbitre anësore në ndeshjen Skënderbeu-Luftëtari.
Fatjona është studente në Fakultetin e Sporteve në Shkodër dhe fundjava e saj është e zënë me arbitrim. Të shtunën gjykon ndeshjet e femrave, ndërsa të dielën të meshkujve. Besoni apo jo, të shtunen lodhet më shumë.
“Femrat komunikojnë ndryshe nga meshkujt me mua dhe gjithashtu ato janë më gjaknxehta. Meshkujt stepen pak kur më drejtohen për të kundërshtuar një vendim”, shpjegon gjyqtarja e re në studion e “Pasdite në Top Channel”.
Top Channel