Nisma e qeverisë “Thuaji po Shqipërisë” ka mbledhur në Tiranë 40 mjekë shqiptarë, të cilët ushtrojnë me sukses profesionin e tyre në vende të ndryshme të botës.

Ata janë pritur, në një takim në Pallatin e Brigadave, nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Duke vlerësuar përgjigjen pozitive të mjekëve, për t’u bërë pjesë e rimëkëmbjes së sistemit shëndetësor, kryeministri Rama tha se është pikërisht tumori agresiv i korrupsionit, që mban peng të ardhmen e këtij sistemi.

“Nuk ka dyshim se këtu flasim për fushën më të vështirë dhe për një sistem si ai shëndetësor, që ka nevojë në çdo organ të tij, sepse është një sistem, që ka nevojë për një kurë të fortë dhe, në të njëjtën kohë, është një sistem, që çdo ditë duhet të kurojë njerëzit. Një sistem, ku sot kemi të bëjmë me një tumor të madh dhe shumë agresiv, si ai i korrupsionit, që e mban peng të ardhmen e Shqipërisë, por, në veçanti, të ardhmen e këtij sistemi. Ne besojmë në dy terapi të mundshme, në betejën me këtë sëmundje; Autonomia dhe Transparenca”, tha Edi Rama.

Kryeministri vlerësoi kontributin, që mjekët shqiptarë mund të japin, në forcimin e kapacitetit të sistemit të kërkimit shkencor dhe edukimin e mjekëve të rinj.

Nisma në tërësi synon rikthimin në atdhe të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera. Ata ftohen që me profesionet përkatëse të kontrobuojnë në ndërtimin e një Shqipërie më të mirë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja tha se sa i përket sektorit të Shëndetësisë, nisma synon rindërtimin e gjithë sistemit. Ai falënderoi profesionistët shqiptarë për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në këtë nismë.

Mjekët shqiptarë që janë ofruar për të dhënë ndihmesën e tyre në funksion të përmirësimit të sistemit shëndetësor shqiptar, vijnë nga vende të ndryshme të botës, si, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Gjermania, Spanja, Kanadaja, Greqia etj. Gjatë ditës, grupi i profesionistëve shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e mjekut nëpër botë, zhvilluan një vizitë në QSUT.

Top Channel