Ministri i Energjetikës Damian Gjinkuri ka nxjerrë një urdhër që i hap
rrugë një auditimi të hollësishëm në Agjencinë Kombëtare të Burimeve
Natyrore.

Shkresa që mban datën 18 nëntor, i hap rrugë kontrollit dhe verifikimit të ligjshmërisë për një sërë procedurash të ndjekura nga institucioni që menaxhon pasuritë natyrore të vendit. Top Channel zotëron dokumentin, i cili liston si pikën e parë të kontrollit procedurat e ndjekura AKBN për rinovimin e lejeve minierare për koncesionarët privatë.

Sektori i minierave mbetet një nga më problematikët, për shkak të informalitetit të lartë dhe moszbatimit të ligjit me pasoja jo vetëm financiare për buxhetin e shtetit, por edhe tragjike deri në humbje jetësh, sic ishin rastet e pak ditëve më parë. Por veç lejeve minerare, grupi i auditit do të kontrollojë edhe përjashtimet e tvsh-së që AKBN ka autorizuar për kompanitë private të prodhimit të naftës.

Taksat e paguara nga kompanitë, që shfrytëzojnë rezervat e naftës në shqipëri prej kohësh kanë qenë një cështje e nxehtë debati, jo vetëm politik. Shumë ekspertë thonë se veç lehtësirave të përfituara në marrëveshjet e koncesionit, kompanitë prodhuese të naftës prej vitesh zbatojnë një sërë manovrash për të ulur pagesat në buxhetin e shtetit. Qeveria është angazhuar publikisht t’i japë fund kësaj situate me koncesionet e pasurive natyrore, të cilat në tetë vjet kanë prodhuar fitime kolosale për privatët por jo për buxhetin e shtetit.

Top Channel