Së bashku për një mjedis më të pastër

19/11/2013 00:00

Rreth 100 mijë aktivistë, vullnetarë, ekologjistë, por jo vetëm, presin datën 22 nëntor. Ata duan që në një ditë të vetme të pastrojnë të gjitha zonat më problematike të Shqipërisë duke shërbyer si nxitje për njerëzit.

Bëhet fjalë për ato vende ku nuk paraqitet rrezikshmëri dhe pastrimi bëhet në kushte të thjeshta. Nisma nuk është e re. Estonia dhe Kosova kanë kryer aksionin paraprakisht dhe vullnetarë nga vendet e tyre pritet të japin kontributin në vendin tonë ku fushata organizohet nga “Greenline Albania”, si pjesë e një nisme botërore.

Të rinj, të reja kryesisht, por edhe vullnetarë të të gjitha moshave, për një kohë të gjatë kanë ngritur rrjetin e parë të hartës dixhitale ku paraqiten zonat dhe vendgrumbullimet e mbeturinave më problematike. Këto të dhëna do t’i vihen në dispozicion qeverisë qendrore dhe asaj vendore për të marrë më pas vendime se ku janë zonat ku nevojitet ngritja e landfilleve me urgjencë.

Ashtu si edhe në aksionin e organizuar në Estoni në vitin 2008 (vend i cili është iniciatori i lëvizjes botërore) apo në 107 shtete të tjera të Botës, aksioni në Shqipëri nënkupton përfshirjen e qytetarëve, autoriteteve qendrore dhe lokale, kompanive private, ndërmarrjeve të pastrim-gjelbërimit, operatorëve të grumbullimit të mbeturinave legale, figurave publike dhe mediave, në mënyrë që të mobilizojë të gjithë popullatën.

Objektivat afatgjatë? Sigurisht që janë ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qenë më të përgjegjshëm ndaj mjedisit.

Top Channel