“Raportet me SHBA, asnjë fije cënimi”

19/11/2013 00:00

Pak ditë kanë kaluar nga thënia “Jo” demontimit të armëve kimike, që do të vinin nga Siria në Shqipëri. Por, a ishte ky vendimi i duhur? A kishte tjetër rrugëdalje kryeministri Rama, të premten, në orën 17:00, kur ai artikuloi “Jo”-në në lidhje me pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë operacion?

Pavarësisht duartrokitjeve dhe brohoritjeve pas vendimit, a kanë reflektuar qytetarët shqiptarët që protestuan para ndërtesës së qeverisë? A është e vërtetë, që Shqipëria ka refuzuar në fakt një paketë, që shkonte përtej investimit që do përdorej për këto armë? U publikua një shifër prej 12 miliardë dollarësh në disa media.

Këto janë disa nga pyetjet, që “Top Show”, me gazetarin Alban Dudushi, kërkoi t’i sqarojë mbrëmjen e së martës, ku i ftuar ishte kryeministri i vendit, Edi Rama.

***

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama në “Top Show”

Alban Dudushi: Si u gjend Shqipëria në këtë valle? Iu kërkua, siç thatë të premten, apo u vetofrua, siç thuhet?

Kryeministri, Edi Rama:
Ne jemi në këto valle, qysh kur kemi vendosur të jemi një vend i lirë, demokratik dhe i angazhuar krah SHBA-ve shumë vite më parë, por edhe formalisht si anëtarë të NATO-s dhe nuk besoj që ka asgjë të çuditshme. Përkundrazi, e çuditshme do të ishte e kundërta, që edhe ne të kontaktoheshim dhe të na adresohej me shqetësim kjo çështje dhe nevojë e këtij operacioni.

Alban Dudushi: Nuk është se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të gjitha njëzëri dolën dhe thanë ‘po, do merremi dhe ne me këtë çështje’…

Edi Rama: As ne nuk dolëm, as njëzëri me të tjerët dhe as me zërin tonë, dhe kur kemi konfirmuar që jemi kontaktuar, kemi konfirmuar që jemi kontaktuar dhe s’ka asnjë vendim, sepse ndërkohë zhvillohej një diskutim mes shumë aktorësh dhe në shumë plane.

Alban Dudushi: Ishte Shqipëria një zgjedhje e parë dhe që u kontaktua?

Edi Rama: Me siguri që jo. Unë e thashë dhe po e përsëris, në vazhdën e një përpjekjeje nga ana e SHBA-ve, për të bërë bashkë gjithë hallkat e këtij operacioni dhe, siç jemi kontaktuar ne, janë kontaktuar edhe vendet e tjera.

Alban Dudushi: Po pse Shqipëria? Ne dimë të gjitha dobësitë, që ka ky vend.

Edi Rama: Siç e thashë edhe në fjalën time, qysh në momentin e parë, kur unë thashë se ‘po’, ne jemi gati ta konsiderojmë, u bë e qartë se konsiderojmë pjesëmarrjen, pa përfshirjen tonë me asgjë tjetër, përveç se me një pikë mbështetje në Mesdhe.

Alban Dudushi: Kur thuhet që e konsiderojmë pozitivisht këtë gjë, natyrisht që ka disa parakushte, që duhet të shtrohen, para se të pranohet dhe për këtë po flasim, momentet e negociatave, që ju keni pasur me aleatët, kanë qenë negociime vetëm teknike, vetëm për operacionin?

Edi Rama: Më lejoni të them që nuk ka qenë Shqipëria, e vetmja që ka pranuar ta konsiderojë, por ka pasur edhe vende të tjera dhe sigurisht që, konsiderata në parim apo fillestare është gjithmonë në parim dhe bëhet fjalë për një operacion të ndërlikuar humanitar dhe ushtarak, me elemente që trajtohen njëri pas tjetrit, ku gjithsekush fillon e sheh më qartë të gjitha pjesët e operacionit dhe, në këtë kuptim, u bënë diskutime dhe u ndërtua një proces, ku krahas me gjithë elementët teknik, sigurisht neve na binte barra, mua në radhë të parë, të trajtoja edhe aspektin që kishte të bënte me domosdoshmërinë, që ky operacion të ishte sa më i koordinuar mes forcave të mëdha, jo thjesht në kuptimin e përfshirjes, por të ndërtimit të një plani, ku aktorët e ndryshëm do kishin role të ndryshme dhe ajo që filloi të bëhej shqetësim, me tërheqjen e disa vendeve të tjera, ishte vetmia e Shqipërisë, si një problem që u kthye në një problem të madh psikologjik. Por, në radhë të parë Shqipëria e ka një imazh jo fatlum, si një vend i varfër dhe si një vend i ndotur dhe lidhja e këtij operacioni vetëm me Shqipërinë krijonte përfundimin, që ky operacion të bëhet në Shqipëri se është e varfër dhe e ndotur dhe nga ana tjetër të sillte detyrimisht një kosto negative për imazhin e vendit, dhe ky ishte një shqetësim i imi qysh kur filluan të tërhiqen të tjerët dhe pastaj u pa qartë që, me të dalë lajmi në mediat ndërkombëtare, shpërtheu një lumë i atillë, aspak i kënaqshëm në raport me Shqipërinë, që përsëri cënoi imazhin e saj.

Alban Dudushi: Qëndrimi juaj është modifikuar në vazhdim në këtë çështje? Pra, në momentin që ndjetë që të tjerët aktorë u larguan dhe Shqipëria po mbetej e vetme, dhe a ka patur këmbëngulje nga ana amerikane që ju të pranonit?

Edi Rama: Nuk do të thoja që qëndrimi im është modifikuar. Qëndrimi im është formuar vijimësisht në një proces diskutimesh, ku dua të theksoj që nga ana e aleatëve tanë të mëdhenj nuk ka patur asnjë presion, përveç se një mirëkuptim gjithmonë e më të plotë për vështirësinë në të cilën ishte vënë Shqipëria, në kushtet kur gjithë plani operacional po ndërtohej në mungesë të një sërë elementësh, që do e kishin bërë atë shumë më të lehtë. Nëse Shqipëria do të ishte bashkë me Danimarkën apo Norvegjinë, bashkë me një apo dy vende të tjera, askush nuk do të mund të thoshte më që ky është një operacion për vende të varfëra apo vende të ndotura. Mirëpo, kjo vetmi ishte një kosto që në fillim, ishte në imazh, si një vend që duhet të promovojë bukuritë e veta, potencialet turistike dhe pastaj u kthye në një peshë gjithmonë e më të rëndë psikologjike, që rëndohej mbi të gjithë.

Alban Dudushi: Jemi ende në një regjim konfidencialiteti, apo ca gjëra mund t’i themi tani?

Edi Rama: Këtu nuk ka pasur ndonjë konspiracion. Po, sigurisht që diskutimet e kryera kanë konfidencialitetin e tyre.

Alban Dudushi: Deri tani këmbëngulni të flisni vetëm për çështje teknike, që kanë të bëjnë me operacionin. Nuk po flasim për përfitimet e Shqipërisë, shkojnë më gjerë se operacioni…

Edi Rama: Unë kam folur se çfarë Shqipëria mund të përfitonte në këtë ndërmarrje të madhe, që në afat të mesëm dhe të gjatë do të ishte një përfitim në imazh për Shqipërinë, pavarësisht kostos afatshkurtër, dhe ka qenë deri në fund pjesë e qëllimit tim në këtë proces, që Shqipëria nëse do të hynte në këtë operacion të dilte më e fortë dhe më e pastër.

Alban Dudushi: Është folur që SHBA do lobonte për statusin dhe, për 4 vjet, Shqipëria të bëhej anëtare e BE-së. Është e vërtetë?

Edi Rama: Sigurisht që janë bërë shumë spekulime. Janë spekulime, që ishin përpara se sa kjo histori të mbyllej, që vazhduan pasi kjo histori u mbyll, por në to s’ka asgjë të vërtetë.

Alban Dudushi: Nuk është diskutuar në lidhje me këtë?

Edi Rama: Shtetet e Bashkuara nuk mund të fusin Shqipërinë në BE. SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të jenë avokate të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare edhe në procesin e integrimit europian, proces që SHBA-të e kanë mbështetur dhe kur kanë qenë në harmoni me BE në raport me Shqipërinë.

Alban Dudushi: Është folur gjithashtu për një miniplan “Marshall”, prej 12 mld dollarësh për Shqipërinë, nëse thoshte “Po”?

Edi Rama: Ky është një vend, që ka një problem të madh me lojërat e fatit. Këtu luhet shumë bixhoz, blihen shumë bileta lotarie dhe ëndërrohet shumë që të na bjerë bingo, por në këtë rast dhe në këto raste, në marrëdhëniet mes shteteve nuk ka bingo, kështu që kjo është e gjitha një fantazi.

Alban Dudushi: Jeni akuzuar nga opozita, që gjithë ky aksion është marrë personalisht nga ju për përfitime politike, madje është folur për një letër të Presidentit Obama ndaj jush, ku premtimi ishte një takim vitin e ardhshëm, nëse do të ishte “Po”.

Edi Rama: Jam akuzuar për shumë gjëra unë, kjo është më e lehta. Kështu që, besoj që nuk ja vlen të ndalojmë gjatë në këtë, por mund t’ju them që duhet pafytyrësi shumë e spikatur, që të flasësh për mashtrime apo përfitime vetjake në një proces si ky, ku SHBA-të ishin të përfshira tërësisht deri në nivelin e tyre më të lartë.

Alban Dudushi: Keni folur shpesh për konfidencialitet. Në fakt, kjo ishte e rregulluar me rezolutën e OKB-së. Ishte Agjencia e Parandalimit të Armëve Kimike, që merrej direkt me këtë, gjithashtu edhe SHBA. Ishte në një kuadër më të madh se sa vetë NATO. Përse keni këmbëngulur te ky konfidencialitet?

Edi Rama: Nuk e di, por unë nuk njoh, në dijeninë time, ndonjë operacion humanitar dhe ushtarak, që të planifikohet në bashkëpunim me median apo të planifikohet duke mbajtur të informuar publikun, për çdo gjë që diskutohet. Kjo nuk ndodh. Në momentin kur ka një plan, atëherë është momenti për ta ndarë atë me publikun, parlamentin dhe median. Por, kur ka një proces diskutimi, që është një proces i hapur, që sjell çdo ditë çështje për t’u trajtuar dhe detaje, nuk ka se si të ketë transparencë. Për aq sa ne mund të bënim, ne e bëmë transparencën tonë.

Alban Dudushi: Po më thoni që nuk ndahen këto gjëra me median, kur është duke u përgatitur një plan operacional, por nga ana tjetër Presidenti deklaroi që nuk kishte dijeni për këtë çështje, ishte kryetari i opozitës që gjithashtu deklaroi, që nuk kishte dijeni për çështjen, u fol që u duhej të mblidhej Këshilli i Sigurisë mbi këtë operacion… Asgjë nga këto nuk është bërë.

Edi Rama: Ju kuptoj shumë mirë. Me lejoni t’iu korigjoj. Kryetari i opozitës ka qenë në dijeni për këtë çështje dhe gënjen, ndërsa sa i përket pjesës tjetër, është një pjesë që me siguri e kishte radhën në momentin kur qeveria dhe unë, si Kryeministër, të kishim në dorë një projekt, jo një bisedë, e cila është zhvilluar intensivisht për të ardhur te projekti. Në momentin kur të kishim projektin, do vinim te kjo fazë.

Alban Dudushi: Kur bëhet projekti, puna është e mbaruar…

Edi Rama:
Jo, nuk është kështu. Kjo fazë e diskutimeve ka qenë përcaktuar si një fazë përgatitore, përpara ballafaqimit të projektit me parlamentin dhe publikun. Kjo ka qenë e përcaktuar, jo vetëm nga ne, por edhe nga aleatët tanë strategjikë. Pra, bisedat janë zhvilluar mbi këtë rrafsh, që të sqarohej çdo element, të ndërtohej një projekt bindës për qeverinë, dhe pastaj qeveria me projektin do t’i drejtohej faktorëve të tjerë. Qeveria nuk mund të shkojë t’u drejtohet faktorëve të tjerë, nëse nuk ka vetë në dorë projektin. Kjo është shumë e thjeshtë.

Alban Dudushi: Më thatë që kryetari i opozitës ka qenë në dijeni dhe i informuar dhe gënjen kur thotë që s’ka pasur informacion. Ka qenë i kontaktuar nga ju, apo nga Ambasadori Amerikan, siç tha në “Top Story”? Dhe nga ana tjetër, më bën përshtypje që ka dijeni kryetari i opozitës dhe nuk ka dijeni Presidenti i Republikës…

Edi Rama: Unë nuk e di çdo të thotë vetëm Ambasadori Amerikan, megjithëse mund ta mirëkuptoj edhe këtë lloj përgjigjeje, në kushtet kur opozita ka krijuar çarjen e parë politike në historinë e lirisë së këtij vendi në raport me SHBA-të, për të cilët asnjëherë politika nuk është ndarë në kampe, kur ka qenë fjala tek interesat strategjike dhe kombëtare. Kështu që, në këndvështrimin tim, Ambasadori i SHBA është zëri i Presidentit Obama, nuk është Ambasadori i Shqipërisë diku gjetkë, që merret me viza falso, është zëri i Presidentit Obama dhe kur Ambasadori i SHBA të komunikon diçka, ky komunikim, gjithmonë kur bëhet fjalë për komunikime të natyrës shtetërore, është një komunikim i SHBA-ve me institucionin që ti përfaqëson, apo me qeverinë ose opozitën në krye të së cilës je.

Alban Dudushi: Fjalimi i së premtes, prej gjysmë ore, nga shumë njerëz u vlerësua si absolutisht një nga fjalimet më të mira tuajat. Në fakt, ka edhe një çudi brenda, janë renditur të gjitha arsyet pse duhej thënë po dhe, në fakt, në fund, një fjali e vetme e përmbysi të gjithën… Dhe ju thatë jo. Ishin protestat në rrugë, që ju detyruan të jepni këtë përgjigje, apo nuk u bindët nga kushtet e SHBA për këtë projekt, përveç atyre që thatë pak më parë, vetmisë së Shqipërisë?

Edi Rama: Në fjalim besoj që e kam thënë ku ishte pika, që unë nuk u ndjeva asnjëherë i qetë dhe rezonova me protestuesit, dhe në mbyllje të fjalës sime u kam thënë protestuesve të rinj, pikërisht arsyen themelore që mua më pengoi deri në fund, që të kisha bindjen se Shqipëria mund të përfshihej në këtë operacion. Kështu që, kjo ka qenë një rezonancë, që besoj ka ardhur edhe si rezultat i dëgjimit të zërit të protestuesve, edhe si rezultat i përpjekjes së brendshme për të gjetur të vërtetën, në këtë luhatje që ishte e imja, edhe si rezultat i faktit që procesi zgjati ndoshta më shumë dhe nuk besoj që kjo ndodhi për shkak se qeveria dhe unë nuk dinim çfarë kërkonim, por sepse ajo që ne kërkonim, dhe këtu s’kemi të bëjmë me asnjë lloj negociate për pazar, se është realisht e vajtueshme ta mendosh këtë dhe për më tepër ta lidhësh këtë me marrdhënien me SHBA, por për të konsoliduar një operacion, që nga një anë ishte një shërbim fantastik për njerëzimin, nga ana tjetër ngjante si shumë rëndë për shpatullat e Shqipërisë.

Alban Dudushi: Për këtë ju jeni kritikuar, që ju mungojnë tiparet e një lideri të madh, që merr vendime historike edhe kur ato janë anti-popullore, dhe ku risku i humbjes është i madh. Më thatë që Shqipëria, në rast se do të bëhej ky operacion, do të dilte edhe më e pastër dhe më e fortë.

Edi Rama: Qëllimi im në gjithë procesin e diskutimeve ishte, jo thjesht që Shqipëria të thoshte “po”, por Shqipëria nga ky operacion të dilte më e fortë dhe më e pastër, dhe procesi u ndërtua mbi këtë qëllim që ishte komplementar me qëllimet që kishin SHBA-të dhe vendet e tjera të përfshira, dhe është shumë e thjeshtë. Nuk u krijuan të gjitha kushtet, që kjo gjë të ndodhte dhe, të rezonosh me një protestë për një çështje kaq të veçantë, që u bë edhe kaq e rëndësishme për një popull të tërë, nuk është mungesë lidershipi, unë them që është e kundërta. Ju siguroj se përderisa procesi zgjati, dmth që si kryeministër unë kam qenë tërësisht i vetëdijshëm kë përfaqësoja, si dhe për çfarë duhej të këmbëngulja në raport me partnerët tanë. Kështu që, çdo protestues që ishte nën dritaren time, nga ata të pastërtit në shpirt dhe nga ata që erdhën aty si e vetmja dallëndyshe e pastër, në atë qiell ku gëluan brohoritjet, e kishte përfaqësuesin e vet në raport me partnerët në diskutime, që janë zhvilluar me respektin më të plotë për njëri-tjetrit dhe shenjën e barazisë për të respektuar dhe kuptuar shqetësimet e njëri-tjetrit.

Alban Dudushi: Me ç’kuptova nga fjalimi, ju kërkuat që të ofronit vetëm tokë dhe gjithçka të ishte e koordinuar dhe e zbatuar, pra një bazë të mbyllur, ku do të merreshin vetëm specialistë të huaj dhe kjo u pranua. Ju kërkuat që mbetjet të mos rrinin në Shqipëri, po të varroseshin diku tjetër, dhe kjo u pranua, ju kërkuat që grupi i ekspertëve të mos largohej nga Shqipëria pasi të mbaronte ky proces, por të pastrohej edhe Shqipëria me këtë rast, pra 31 pikat e nxehta që ju përmendët në fjalimin tuaj, ku lëndët kimike janë që nga koha e komunizmit dhe këto vite, edhe kjo u pranua. Pra, ato kushte për një Shqipëri më të pastër dhe më të fortë që ju kërkuat, praktikisht u realizuan, dhe unë s’kuptoj “pse”-në e “Jo”-së përfundimtare, përveç se të atyre që rrinin poshtë dritares?

Edi Rama: Jo. S’është kështu. Po e përsëris, nuk u plotësua ky kuadër me kornizën e domosdoshme, që jo thjesht në momentin kur gjërat psikologjikisht kishin vajtur larg në sytë dhe zemrat e njerëzve, mbetjet largoheshin, por edhe dikush tjetër të ishte fizikisht i përfshirë. Vetmia në këtë operacion e bënte të pamundur këtë përfshirje, procesi mori më shumë kohë se sa ç’do të duhej të merrte. Ne kemi qenë qysh në fillim të qartë në atë që kemi kërkuar. Hymë në një proces me vetëdijen se na takon të kontribuojmë, por dhe me bindjen se, që të kontribuojmë duhet të vendosemi në gjendjen për ta bërë një gjë të tillë, sepse jemi të qartë se çfarë vështirësish kemi dhe duke qenë se kemi pasur një skuadër që shënonte çdo pretendim, se ky është një operacion në të cilin nuk jemi të armatosur me ekspertizë të atillë, që të na japë garancitë e menjëherëshme dhe u pa se çfarë ishte ekspertiza që tmerroi dynjanë. Kështu që, çdo gjë që dëgjohej nga përfaqësuesit e ambientalistëve dhe nga të gjithë ata që thonin se ky operacion është i rrezikshëm, i pamundur, mbahej shënim dhe menjëherë i raportohej si problem palës tjetër, në një grup të përbashkët ekspertësh që trajtonin çdo problem që ngrinin njerëzit në protestë dhe jepnin përgjigje në çdo detaj. Kjo ishte njëra pjesë, pjesa tjetër ishte ajo që kishte të bënte me mua. Pjesa që kishte të bënte, jo me atë që thonin ekspertët, por me atë që ndjente populli shqiptar, sepse nuk bëhej fjalë për një reformë brenda vendit, bëhej fjalë për një sipërmarrje, ku unë e kam thënë, ku Shqipëria duke u përfshirë rrezikon të poshtërohet për shkak të imazhit në mediat ndërkombëtare, ndërkohë që për mua, angazhimi do të thotë që kjo ishte një mundësi që Shqipëria të dalë kryelartë dhe jo të humbasë, por të fitojë, brenda vetes dhe në raport me të tjerët. Kjo ka qenë e qartë dhe në mënyrë të përsëritur është diskutuar me partnerët tanë dhe ata kanë qenë mirëkuptues.

Alban Dudushi: Vetmia me sa duket ka qenë problemi. Hamendësojmë kur kjo vetmi bie, do ta rishikonit vendimin?

Edi Rama: Edhe ajo na duhet tani që të hapim edhe një kapitull tjetër dhe të zhvillojmë edhe një histori të pakuptimte mbi bazën e një “ta zëmë se”. Ne nuk kemi cfarë të zëmë fare. Ne u përfshimë në këtë proces me dinjitetin më të madh, qëndruam me dinjitet të plotë, e mbyllëm këtë proces si vend dhe si popull me dinjitetin më të lartë. Ju siguroj që po të mos ishte marrëzia e opozitës, ky pozicion do të ishte po kaq dinjitoz në rast se do të kishte qenë ky pozicion dhe marrëdhëniet tona me SHBA sot nuk kanë pësuar asnjë fije cënimi për shkak të dinjitetit tonë në këtë proces, ne qëndruam deri në fund të procesit, ndryshe nga të tjerët që u larguan më përpara natyrshëm. Sic biseduam ne, sic kërkuam ne sqarime, argumenta, sic kërkonim ne një kornizë pune për përfshirjen tonë, kërkonin dhe të tjerët, por ama ne na takonte që deri në fund të kërkonim zgjidhje, që deri në fund të ishim mbështetës dhe ndihmesë e atyre partnerëve pa të cilët Shqipëria nuk do të ishte kjo që është, pa të cilën shqiptarët s’do kishin sot dy shtete të lira dhe të pavarura në mes të Europës, pa të cilët kushedi ku do të ishte vetë Europa sot. Kjo është ajo që bëmë dhe besoj e bëmë me dinjitet.

Alban Dudushi: Dhe “Jo”-ja është përfundimtare?

Edi Rama: Procesi ka përfunduar. Sigurisht që përpjekjet për të zhvilluar operacionin vazhdojnë, por në drejtime të tjera dhe është normale që të ndodhë kështu, ashtu sikundër është normale që në kushtet kur këtu është shfaqur papritur një opozitë e vendosur në barrikadën e anti-amerikanizmit, një opozitë që konsideron mashtrim një operacion të tillë, një opozitë që publikon fotografi të viktimave të Assad-it dhe u vë titullin ‘Shqipëria ka radhën’, një opozitë që ngatërron Assad me Obamën, nuk ka asnjë kusht që të mendohet se mund të ketë një rikthim në këtë pikë.

Alban Dudushi: Thatë që ishit i detyruar t’i qëndronit konfidencialitetit të kërkuar, megjithatë 10 ditë ishin të mjaftueshme që të ndodhte pikërisht kjo majisje e situatës, e të rritej numri i protestuesve jo vetëm në Tiranë. Ndërkohë, lajmi nuk u bë publik nga Shqipëria, por nga një gazetë amerikane dhe u fol gjerësisht për vendet e përfshira në negocime. Negociatat kishin anën e tyre teknike dhe konfidenciale, por a mund të bëhej një manaxhim më i mirë i informacionit ndaj publikut?

Edi Rama:
Të flasësh mbas ndeshjes e të thuash si duhet të ishte zhvilluar ndeshja është gjithmonë e lehtë, por ndërkohë ju siguroj që kjo strategji ishte e menduar dhe e rimenduar gjatë. Për mua, edhe sot që po flasim ishte e njëjta strategji dhe edhe po të kthehem pas të njëjtën strategji do të ndiqja, pasi nuk kishte asnjë mundësi që të hynim në një debat, kur ishim ende në diskutime dhe s’kishim ardhur tek pika se çfarë do të bënim. Pozicioni im në rastin konkret, por edhe i dy bashkëpunëtorëve të afër, ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes ka qenë edhe i diktuar nga rrethanat. Ndërsa nga njëra anë merrnim gjithë informacionin nga publiku, kërkonim gjithë informacionin tek aleatët. Zgjatja e procesit nuk varej nga ne e sigurisht që krijoi shumë më tepër hapësirë për zgjerimin e mjegullës së keqkuptimit dhe disinformimit.

Alban Dudushi: Për hir të së vërtetës ju e latë bosh fushën dhe nuk e shpërndatë mjegullën…

Edi Rama: Po këmbëngulni në diçka që e kam dëgjuar me dhjetëra e qindra herë. Ishte e pamundur nga ana jonë të përfshiheshim në një debat publik. Njerëzit, invididët, partitë përfshihen në një debat kur kanë një pozicion të qartë dhe të gjitha armët për të mbrojtur atë qëndrim. Ndërkohë që ne po kërkonim të plotësonim të gjithë argumentat për të shkuar drejt një pozicioni që kishim paracaktuar si pozicion i ynë i mundshëm, ishte e pamundur që nga ana tjetër të zhvillonim një debat publik, edhe sepse kjo nuk është diçka që ka lidhje me atë që ndodh zakonisht, por është diçka shumë specifike, një operacion humanitar dhe ushtarak, një operacion i tillë që ne nuk i kemi në vend kapacitetet qoftë për të ndërtuar debatin, në kushtet e një mjedisi që u mor peng nga mediat.

Alban Dudushi: Jemi në një situatë ku ju i keni bërë edhe në fjalimin tuaj këto akuza…

Edi Rama: Nuk janë akuza, është fakt.

Alban Dudushi: Keni bërë përgjegjëse opozitën e disa media për desinformim e futje të panikut, edhe pjestarë të shoqërisë civile që nga padija ishin të panikosur. Nga ana tjetër pati shumë pak zëra që dolën në mënyrë të pavarur pro kësaj ideje. Shteti ka më shumë mekanizma se sa kaq për të mos lënë hapësirën në dorë të desinformimit siç thoni ju.

Edi Rama: Edhe një herë tjetër nuk e di se sa jam në gjendje ta shpjegoj, por po përpiqem ta shpjegoj për të tretën herë me durim, që pozicioni ynë dhe kufizimi ynë në aq sa thamë kishte të bënte me hapësirën në të cilën ne vepronim. Nga një anë kishim zërat e shoqërisë sonë, zërat e asaj që u kthye më pas në një protestë që ne i dëgjonim me shumë vëmendje, ishte zëri i shoqërisë sonë, zëri i shqetësimit të çdo shqiptari të mirë në këtë rast, në raport me palën tjetër për të pasur në vetvete bindjen e plotë nëse do të thonim po, jemi për këtë e tani le të ballafaqohemi me publikun e Parlamentin. Pozicioni ishte shumë i vështirë për të mundur të përballohej gjithë kjo mjegull dhe nga ana tjetër kur flasim për desinformim: A ka desinformim më të madh se të ndërtosh një platformë komunikimi me publikun, duke barazuar në përceptim Assadin me Presidentin Obama, duke barazuar regjimin vrastar në Siri me qeverinë amerikane. Nëse ne do të pranonim, do të angazhohej vetë presidenti i SHBA-ve personalisht, pasi ai është njeriu që jep dritën jeshile për të nisur drejt Shqipërisë trupa të vetat ushtarake dhe civile, ekspertët më të mirë të Amerikës, bashkë me të botës që të vinin në Shqipëri që të hidhnin në erë Shqipërinë dhe veten e tyre? Si mund ta parafytyronin njerëzit këtë gjë? Por, në kushtet kur disinformimi ishte shoqëruar me intensitet përmes ekranesh të marra peng për interesa që s’kanë të bëjnë fare me interesat e këtij vendi, kur nga ana tjetër nuk ka mundësi për të shtjelluar të gjithë argumentat e për më tepër pastaj, kur nga ana e qeverisë, qeveria mund të thotë vetëm atë që tha, por edhe ajo që tha, ushqen pasigurinë dhe paranojën sepse njerëzit thonë “s’ka vendim thonë këta, por e kanë marrë vendimin”, se del një i marrë nga ana tjetër se vendimi është marrë, kjo punë është mbyllur, etj etj. Kështu që situata praktikisht u agravua në kushtet në të cilat ne kishim një marzh manovre jashtëzakonisht të kufizuar dhe në kushtet kur jemi përpjekur, e unë personalisht që të nxitonim sa më shumë me procesin që të mos linim situatën të agravohej.

Alban Dudushi: Mendoni se opinioni ishte e pamundur të informohej më tepër nga sa u informua?

Edi Rama: Mendoj se mund të informohej më shumë, e në nëse këtë e kishte të pamundur qeveria, e kishin të mundur tribunat e mendimit të lirë, ashtu siç thirrej një palë, duhej thirrur edhe e kundërta. Duhet t’i bëheshin referenca të gjitha burimeve, pasi shkatërrimin e bën një agjenci e OKB-së që në 2013-n ka marrë çmimin “Nobel për Paqe”. Si mund të marrë çmim “Nobel për Paqe” një organziatë shoqërisht e rrezikshme, që bën operacione për të hedhur në erë popuj dhe vende. E dyta, shkatërrimi është një angazhim i madh i njerëzimit sot, për t’u hequr nga duar armët jo vetëm barbarëve, por të gjitha fuqive destruktive të mundshme një armë që është shfarrosëse dhe për shkatërrimin e armëve kimike investohen sot mendje të ndritura dhe forca shumë progresive të shoqërisë njerëzore. Nuk është një proces që nënkupton që me armët i merr këtej dhe andej e kudo që shkojnë mbjellin shfarrosje. Është e kundërta, më kuptoni?

Alban Dudushi: Nuk është problemi që desinformimi përfshiu vetëm popullin, por pati edhe anëtarë brenda vetë partisë tuaj që u shprehën kundër demontimit të armëve në Shqipëri. Radhët u shthurrën në një lloj kuptimi. Zoti Blushi tha që e kishte të pamundur të miratonte këtë operacion, Brace ishte në këtë drejtim, ministra të qeverisë suaj si Naço apo Koka ishin në kundërshtim me atë që ju po bënit. Për të shkuar më tej, kryetari i Parlamentit, zoti Ilir Meta ditën e protestave nga salla e Parlamentit doli përpara protestuesve dhe në një lloj kuptimi la të thuhej që edhe ai vetë nuk ishte i bindur.

Edi Rama: Po kush ishte i bindur, isha unë?!

Alban Dudushi: Nga ajo që po thoni në këtë studio duket se ishit të bindur që duhej bërë.

Edi Rama (Qesh): Atëherë, prapë unë edhe në këtë studio po them atë që thashë edhe në fjalën që mbajta sy më sy me shqiptarët që fatmirësisht kanë një shqisë më shumë mesa duket që arrijnë të kuptojnë edhe atë që përmes ekranëve bëhet e pakuptueshme, falë Zotit dhe po ju them që nëse unë do të isha i bindur plotësisht që ky operacion ishte një operacion ku Shqipëria duhet të përfshihej, unë do të thoja që po, Shqipëria duhet të përfshihet e do të përballesha me çdo kundërshti e më lejoni të them, ky nuk është sekret tanimë, edhe në leximin e kryetarit të Kuvendit do ta lexoni në sintoni të plotë gjatë procesit të bisedimeve, pasi kemi qenë vijimësisht në kontakt për ecurinë e procesit dhe edhe qëndrimi i tij publik që ishte më i mundshëm për shkak të pozicionit të tij, pasi nuk ishte i drejtpërdrejtë i përfshirë ka të bëjë me faktin që kishte dijeni për procesin e diskutimit, kryetari i Kuvendit e ka thënë shprehimisht atë që në fakt ka qenë e gjithë natyra e qëndrimit tonë: Shqipëria ka një përgjegjësi, ne do të marrim përgjegjësinë tonë për aq sa mbajmë mbi supe dhe ka thënë që jemi në kushtet kur s’ka vendim dhe qeveria do të dëgjojë zërin e qytetarëve. Qeveria e dëgjoi zërin e qytetarëve dhe unë jam shumë krenar për këtë sot. Është një prej gjërave që më bën të ndihem më mirë, që kemi qenë në sinkron me shqetësimin e njerëzve pasi i kemi dëgjuar ata, kemi qenë shumë dëgjues ndaj pretendimeve të ambientalistëve e ekspertëve. Nuk kemi pasur kurrë një vendim për t’u angazhuar si qeveri jo vetëm në parim, por edhe operacionin për ta ndarë me publikun, ndërsa edhe brenda grupit s’kam mundur të them më shumë. Kam shpjeguar mbase pak më shumë se për publikun që s’ka asnjë arsye për shqetësim pasi s’ka vendim dhe s’mund të jepet më shumë informacion.

Alban Dudushi: Pavarësisht se shpjeguat pak më tepër, nuk ishin të gjithë të gatshëm në respektimin e vendimit tuaj dhe nuk iu bindën një vullneti politik të caktuar që ju do të shprenit të nesërmen. Duke paradeklaruar qëndrimin e tyre, në një farë mënyre iu vunë përpara një pozite, me ministra të qeverisë që dolën përpara se të dilnit ju me qëndrim kundër jush…

Edi Rama: E kam thënë në fjalimin tim se kur këto deklarata janë bërë, vendimi im ishte marrë. Vendimin tim ia bëra të ditur aleatëve një natë më parë, të gjitha këto ishin pjesë e një përfshirje emocionale që mund të mos ishte, por ndodhi për disa arsye. Po flasim për deklaratat që ju i referoheni, që në tërësi janë kështu siç po them. Ka pasur edhe më përpara (deklarata), por kjo s’ka ndonjë rëndësi. Unë s’kam pasur ndonjë shqetësim të kësaj natyre, pasi iu përsëris se në rast se do e kisha marrë vetë një vendim për t’u angazhuar, atëherë do të flisja me grupin, Parlamentin e publikun, duke i pasur të gjitha arsyet për të treguar se përse isha i bindur, kjo nuk ndodhi kështu që të gjitha këto janë të parëndësishme sot.

Alban Dudushi: Në një analizë ia bëtë elozhin protestuesve, duke thënë që ishin dallëndyshja e vetme e pastër mes asaj mjegulle. Në një analizë post, fitoi qytetaria apo padija dhe desinformimi?

Edi Rama: Sigurisht që ka një fakt që është i padiskutueshëm në këndvështrimin tim dhe që është mobilizimi qytetar për një çështje të qytetarisë. Nuk ka rëndësi fare nëse i hymë tani një hipoteze apo një bisede hipotetike nëse do të ndodhte kështu po të ndodhte ashtu e me radhë. Rëndësi ka që qytetarët në këtë vend protestuan jo kundër qeverisë, por kundër një vendimi të mundshëm që mund të merrej në emër të një krenarie, të një dinjiteti, të një çështje që ishte fort e rëndësishme dhe u pa si e tillë nga qytetarët. Kjo nuk ka nevojë për t’u diskutuar dhe është e padrejtë që të cënohet me çfarë do lloj argumenti që është i vlefshëm përsa i takon desinformimit. Sigurisht që pati një disinformim, i cili ishte shumë i ulët, shumë i pabesë në raport me qytetarët sepse bazohej jo tek e vërteta, por tek gënjeshtra dhe siç e kam thënë edhe në fjalën time, në një moment ishte edhe kafshëror abuzimi në raport me njerëzit e shqetësuar, me gjyshe e gjyshër të panikuar, me prindër të tronditur.

Alban Dudushi: Në analizën tuaj, përse e bëri opozita këtë?

Edi Rama: Në këtë aspekt unë i ndaj shumë mirë gjërat dhe jam shumë i lumtur që Shqipëria i jetoi ato ditë si ditët e një lirie për të protestuar e pashqetësuar nga presionet, nga kërcënimet apo nga hija e rëndë e forcave të armatosura tek godina e Kryeministrisë. Nuk pati asnjë që u ndalua nga drejtorët apo nga shteti.

Alban Dudushi: Pse i duhej në analizën tuaj kjo kosto opozitës, që të tregohej e pabesë me publikun e SHBA e të futej në një rrugë të pakëndshme në atë që ju thatë antiamerikanizmi i opozitës. Cila është e atyre dy njerëzve që u ulën në shesh?

Edi Rama: Për këtë pyesni ata dhe jo mua. Unë di që opozita e Shqipërisë shkruajti të enjten kapitullin më të turpshëm e shpresoj e uroj të jetë i vetmi jo vetëm në raport me të shkuarën që është i vetmi, por edhe në raport me të ardhmen, në historinë e marrëdhënieve tona me SHBA që kur Shqipëria është çliruar nga komunizmi.

Alban Dudushi: Një natë para se Kryeministri Rama të njoftonte përgjigjjen, Ambasadori Arvizu në Top Story me Sokol Ballën, tha se “do të zhgënjehemi”. Cfarë ndodh kur zhgënjehen SHBA?

Edi Rama: Di cfarë ndodh kur SHBA u bëhet një karshillëk i atyre përmasave që u bëri opozita, jo se mbajti një qëndrim të ndryshëm, por sepse qëndrimin e ndryshëm e mbajti me mungesën më të plotë të respektit për atë që SHBA përfaqësojnë duke i pikturuar SHBA në sytë e publikut si një rrezik për jetën e qytetarëve shqiptarë. Ndodh që të humbasësh shumë nga respekti i tyre, ndërkohë që pa asnjë dyshim jam i bindur që qeveria e SHBA e ka absolutisht të qartë që nga ana jonë ne bëmë gjithcka na takonte për të qenë mbështetës në përpjekjet e tyre dhe mospërfshirja e Shqipërisë është pamundësi dhe jo mungesë e dëshirës apo vullnetit për të qenë në krah të SHBA, një pamundësi për sa unë thashë para publikut, që është plotësisht e mirëkuptueshme nga ana e tyre duke patur parasysh edhe faktin që partnerët tanë e kanë ndjekur gjithë dinamikën e diskutimeve dhe kanë patur mundësinë ta mirëkuptojnë qëndrimin tonë.

Alban Dudushi: Edhe zoti Arvizu sepse nuk dukej kështu në intervistën e një nate më parë e zotit Balla. Foli për përpjekje, tha se kishte folur me ju në telefon, të paktën zoti Arvizu është përpjekur deri në fund që ju të mos thoni jo.

Edi Rama: Padyshim që partnerët tanë donin që të krijohej kuadri i plotë i kërkuar prej nesh që të kishte një ‘po’ nga ana jonë. Ata diskutonin me ne në kërkim të ‘po’-së, edhe në diskutonim me ta në kërkim të ‘po’-së. Kushtet për ‘po’-në, jo nuk u plotësuan nga ana e tyre, por nuk u krijuan se nuk vumë ne kushte, por donim që të krijonim kushte që Shqipëria të përfshihej në këtë operacion të vështirë. Kushtet nuk u krijuan, megjithatë unë jam i bindur që kemi mirëkuptimin e tyre më të plotë për këtë gjë, pavarësisht se nuk mund të jenë të lumtur për faktin që gjithë ato përpjekje nuk u kurorëzuan me rezultatin që u përpoqën të dyja palët.

Alban Dudushi: Flasim pak më gjër për politikën e jashtme. Dhjetori është muaji kur ne presim dhe do të shohim se cdo të ndodhë me marrjen e statusit të vendit kandidat. Holanda dhe Gjermania po shikohen si dy faktorët pengues në këtë moment që nuk do ta japin miratimin në këtë proces. Zoti Bushati ishte në Berlin, ka ndonjë zhvillim?

Edi Rama: Unë nuk mendoj që ka një vend apo një tjetër që është pengesë, unë mendoj që pengesë për ne në raport me këndvështrimin e caktuar të disa vendeve është barra e rëndë e rezultateve negative dhe imazhi negativ që trashëgojmë nga qeveria e shkuar. Nuk ka pikë dyshimi që në raport me qeverinë tonë dhe në raport me cka kemi arritur deri këtu, gëzojmë simpati dhe mbështetje të plotë, por sikundër është thënë qartas edhe prej tyre edhe prej Komisionerit, kjo do të jetë një përpjekje deri në minutën e fundit për të bindur të gjitha vendet anëtare se qeveria është e mirë dhe meriton mbështetje, jo thjesht për atë që do bëjë deri në minutën e fundit, por edhe pas asaj që do vendoset në minutën e fundit.

Alban Dudushi: Ndërkohë Greqia dhe Italia vazhdojnë të mbeten dy vende favoritë në mbështetjen e Shqipërisë në integrim?

Edi Rama: Kanë qenë gjithmonë.

Alban Dudushi: Greqia do të ketë edhe Presidencën nga janari, ndërkohë kemi ende cështje pezull me të, ujërat, cështja çame. Çfarë po ndodh me to dhe çfarë ndodh në momentin kur presidenca i kalon Greqisë?

Edi Rama: Unë jam shumë krenar për faktin se kjo qeveri ka vendosur një standard të ri në marrëdhëniet me gjithë miqtë dhe partnerët tanë, standardin e reciprocitetit, respektit të ndërsjellë, dinjitetit të barabartë me cdo palë që ka përballë, dhe ky standard jo vetëm që nuk cënon miqësinë, por i jep kuptim parnteritetit dhe forcon miqësinë, kështu që edhe në raport me fqinjët tanë jugorë jemi në një fazë të re, në një fazë ku ne kërkojmë të shkojmë përpara duke kërkuar njëkohësisht që me dialog mes të barabartësh dhe në emër të së ardhmes të pastrojmë llogaritë e së shkuarës që janë shumë prezente sa herë ka një situatë apo ka një moment që na i sjell në rrugën tonë. Kushtet janë, mundësitë janë, vullneti është dhe besoj që do të kemi zhvillime pozitive në të ardhmen në rast se ky vullnet do të përdoret nga të dy palët për të pastruar këto llogari dhe për të parë nga e ardhmja sepse të dyja palët janë të vetëdijshme se e ardhmja europiane e gjithë rajonit dhe e popujve tanë në këtë rajon është ajo që ka më shumë rëndësi dhe zhvillimi i përbashkët ekonomik dhe shoqëror është ai që duhet të na shqetësojë më shumë.

Alban Dudushi: Po flasim për një vend si Greqia që herë pas here në historinë e këtyre 20 viteve ka kushtëzuar jo pak cdo progres tonin në rrugëtimin në BE, duke vënë kushte të caktuara të cilat herë pas herë nuk na kanë pëlqyer, por që jemi detyruar të ulim kokën. Cfarë ndodh kësaj herë që ju përcaktoheni në këtë linjë reciprociteti dhe i mbushni mëndjen dhe Athinës që t’i qëndrojë këtij reciprociteti?

Edi Rama: Nuk ndodh asgjë. Unë thjesht mendoj që ajo që ndodhi me protestën e të rinjve për një cështje të madhe të interesit kombëtar, nuk është as një rast i vecantë dhe as një rastësi, ajo lidhet me faktin që Shqiptarët më 23 qershor kanë zgjedhur një qeveri të shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët.

Alban Dudushi: Turqia është një partner strategjik dhe u quajt si një drejtim i ri në politikën tonë të jashtme ky intensifikim i marrëdhënieve. Nga ana tjetër ju me zotin Erdogan jeni takuar në mos gaboj 3 herë dhe jeni takuar më shpesh se sa me të gjithë kryeministrat e tjerë, përjashto ndoshta zotin Thaçi. Ka ngjallur shumë debat kjo lëvizje drejt Turqisë.


Edi Rama:
E debatueshme dhe në një farë mënyrë e dënueshme ka qenë indiferenca ndaj Turqisë deri dje dhe jo sanksionimi i partneritetit strategjik me Turqinë sot. Është e vërtetë që jam takuar 3 herë, por kryeministri i Turqisë ka qenë i gatshëm të më takojë dhe të më presë para se unë të bëhesha kryeministër dhe pastaj jemi takuar kur unë u bëra kryeministër dhe hera e tretë na mblodhi në Prishtinë kur bëhej fjalë për një vepër të madhe që u përurua aeroporti i ri, “Adem Jashari” në Prishtinë.

Alban Dudushi: Ishit prezent kur zoti Erdogan tha që Kosova është Turqia dhe Turqia është Kosovë…

Edi Rama: E pastaj ca është kjo. E tha si pretendim territorial apo e tha në mënyrë simbolike që në Kosovë gjendem si në shtëpinë time, dhe ju në Turqi mund të gjendeni si në shtëpinë tuaj? Është e kotë ta diskutojmë. Ëshë njësoj si të tjerë kur kanë shkuar në një vend tjetër dhe kanë thënë unë këtu ndjehem si i tillë apo i atillë. Është bërë një zhurmë e kotë dhe besoj një zhurmë e nxitur në raport me atë shprehje që është simbolike për të thënë se sa mirë gjendej atë ditë në Prizren dhe se sa mirë mund të gjenden shqiptarët në Turqi. Ne këto lloj komentesh harrojmë historinë, Erdogan dhe qeveria e tij kanë qenë ndër njohësit e parë të shtetit të Kosovës, janë mbështetësit e pacënueshmërisë territoriale të Kosovës dhe ndër mbështetësit dhe avokatët më të mëdhenj të integrimit të Shqipërisë në BE.

Alban Dudushi: Në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Thaçi. Vizita juaj u bë gjatë fushatës elektorale dhe kjo është kritikuar si një mbështetje e pandershme ndaj Kosovës.

Edi Rama: Mund të ketë qenë jo fatlume rastësia, por ka qenë e gjitha një rastësi sepse përurimi i aeroportit ishte atë ditë dhe sic e mësova po atë ditë, kryeministri Erdogan edhe më parë kishte shkuar në Prizren ku ka një mik të rinisë së tij, një njeri i thjeshtë që jeton në Prizren, që e viziton në shtëpi, plus që ka një minoritet turk të cilin ai e viziton kur shkon në Kosovë.

(Fotografia e ulur në shesh me Erdogan dhe kryeministrin Thaçi)

Edi Rama: Kjo është një fotografi që kam dëshirë të komentoj me publikun për faktin se u bë shumë zhurmë dhe u thanë shumë marrëzira për këtë fotografi duke më vënë edhe etiketën e fundit që më kishte ngelur pa vënë, si orientalist. Të gjitha m’i kishin thënë, por këtë orientalist s’e kishin thënë. Është një fotografi e bërë tek shtëpia e mikut të Erdogan që ëshë një shqiptar që janë njohur kur kanë qenë të rinj dhe që kryeministri i Turqisë, një politikan aq i njohur, aq me peshë dhe aq i zënë e kujton dhe e respekton dhe kur kalon andej shkon dhe e viziton në shtëpi. Aty kemi qenë në dhomën modeste të pritjes së asaj familjeje ku sipas traditës nxorrën një sofër për të nxjerrë bukën dhe ishim rreth sofrës në një shtëpi të një shqiptari të thjeshtë që vizitohej nga kryeministri i Turqisë dhe me këtë rast nga dy kryeministra të tjerë. Kjo ishte prapavija e një fotoje që u pasqyrua gjithandej sikur cfarë kishte ndodhur.

Alban Dudushi: Do të shkoni në Beograd?

Edi Rama: Besoj se po.

Alban Dudushi: Qëllimi i vizitës dhe nëse ka dicka që mund të themi.

Edi Rama: Ne sot duhet të bëhemi të gjithë të vetëdijshëm që jetojmë në një kohë të re, nuk jetojmë më në Ballkanin që kemi jetuar, jetojmë në një rajon i cili është përshkruar në gjithë jetën e tij si një vatër trazirash, si një zonë zjarri, si një fuci baruti ku viti i ri 2014 është viti i parë i ri që vjen dhe i gjen të gjithë në shtëpinë e tyre asnjë tek dritarja me pushkë duke marrë në shënjestër fqinjin. Pra jemi në një kapitull të ri të jetës në këtë rajon dhe është koha për të kuptuar se kjo paqe kërkon një përmasë zhvillimi ekonomik dhe social përmes bashkëpunimit rajonal, përmes kapërcimit të kufijve dhe të krijimit të mekanizmave që do të mundësojën që nga kjo paqe do të përfitojnë njerëzit e këtij rajoni dhe në vecanti të rinjtë.

Alban Dudushi: Kur keni hedhur piketat e politikës së jashtme keni folur për një diplomaci më dinamike dhe ekonomike, që për hir të së vërtetës ka nevojë. Kështu kuptoj edhe këtë lëvizjen tuaj drejt Turqisë si vendi i vetëm që nuk u prek nga kriza, por ka patur rritje, por po ashtu të gjithë lëvizjet në rajon për të hapur tregjet. Keni deklaruar në Kuvend që 2013 do të jetë më e keqja që do të kalojë dhe 2014 do të jetë optimiste për Shqipërinë. Ku janë burimet? Cfarë vjen?

Edi Rama: Ne jemi duke disktuar një program me FMN, kemi një program tek i cili unë besoj, kemi një qeveri që unë sot besoj më shumë se sa në ditën kur i zgjodha anëtarët, kemi një shumicë që mund të dilte vetëm nga një referendum kundër plehrave, kemi gjithcka na duhet që së bashku me një popull që sot ndjehet më mirë se sa dje, flas para 23 qershorit, për shkak se ka më shumë liri dhe në kushtet kur liria është elementi themelor për zhvillimin ekonomik, që më bëjnë të besoj që jemi në rrugën e duhur dhe që pa asnjë dyshim do të shmangim humnerën ku po e contë vendin dhe ku e la qeveria e mëparëshme dhe pastaj do të fillojmë rritjen.

Top Channel