Në javën pasardhëse të “JO”-së që Shqipëria i tha shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, Rudina Xhunga përqendroi vëmendjen e saj tek ajo që ndryshoi manifestimi i gjerë popullor.
Nëpërmjet të ftuarve Sokol Shameti, Iris Luarasi, Grida Duma dhe Ron Gjinovci, “Shqip” u përqendrua për në një bisedë të gjatë jo më për refuzimin e Tiranës zyrtare, por për lëvizjen rinore që ishte mbase ajo që mundësoi këtë përfundim.
I ardhur nga Kosova, aktivisti Gjinovci shpjegoi mënyrën se si u përjetua protesta në fqinjët tanë veriorë. “Ka pasur shumë ndikim edhe në jetën sociale në Kosovë. Protesta u përjetua shumë, disa miq të mitë mbërritën më në Tiranë për të manifestuar, pasi besonim që përgigja e qeverisë do të ishte ”Po”. Isha në kontakt me disa grupe kosovarësh që mbërritën në Shqipëri. Arsyeja që kundërshtonim ishte sepse ndiheheshim të rrezikuar në Kosovë, për më tepër ishte edhe diçka parimore dhe ndiejmë të njëjtën përgjegjësi si populli shqiptar”.
Në vëmendjen e Grida Dumës, është e pamundur të përcaktohet në këtë moment nëse kemi fituar apo humbur prej këtij refuzimi që i bëmë armëve kimike. “Ne duhet të festojmë sot, por problemi është se nuk e dimë se çfarë po festojmë, jemi ende një lloj treri nëse kemi marrë vendimin e duhur apo jo. Ne këtë nuk e dimë akoma. Arsyeja që nuk e di asnjëri së pari nis nga terri informativ që bëri qeverisja aktuale, për të mos informuar në kohë popullin që nuk u soll si shqiptar i frikësuar, por si një popull europian i frikësuar. Kjo ishte kuptuar edhe në 23 Qershor, me fenomenin LSI që tregoi se qytetari fokusohet më shumë në interesat e tij dhe protestat unë i kam interpretuar si një protestë kundër heshtjes që zakonisht, në kulturën tonë nënkupton diçka të keqe, një vendim tashmë të marrë. Nga ana tjetër, s’duhet të lejojmë klasën politike t’i hipë kalit të fitores dhe ta shndërrojë atë për vete. Sa përsa i përket vendimit, nuk e di në është i duhuri gjeopolitik apo ekonomik, këtë mund ta tregojë vetëm koha. Doja të shtoja se reagimi ndaj Arvizusë ishte i pacipë, së pari nga opinionistët, që e referonin si sistem demokracie, e përdornin SHBA si gur themeli i demokracisë e një ditë të bukur, ambasadori i tyre u kthye në imperialist, duke u quajtur turpësisht i quajtur “non grata”. Fatos Lubonja, sa për të përmendur një emër, nga e gjen të drejtën që të bëjë politika dhe të shajë ambasadorin amerikan”.
“Jam dakord me Gridiën mbi qëndrimin anti-amerikan, pasi duhet të bëjmë një retrospektivë për të parë se ky vend është anëtar i NATO-s sepse kishim mbështetje nga SHBA, kemi një Kosovë të pavarur që ekziston sepse donte Amerika”, argumentoi Iris Luarasi. “Ky ishte momenti kur SHBA i kërkonte diçka Shqipërisë, diçka që mbase ata s’do e kenë kurrë më nevojë. Në këtë pikëpamje bie dakord sepse menjëherë, sapo i tha jo kryeministri armëve kimike, në media plasën benefitët që do të kishim pasur, që në shumë raste bënin pjesë e një spekulimi. Në vitin 1987, në Tiranë mbërriti Shtrausi dhe bëri një ofertë, por vetëm historia e gjykoi që kishim humbur duke mos e pranuar. E njëjta situatë do të jetë edhe tani, vetëm koha do të tregojë. Protesta, nga ana tjetër ishte ana më e bukur, pasi 21 janari kishte vrarë shpresën”.
Në pikëpamjen e Sokol Shametit, “në 21 vjet e ca kemi deleguar demokracinë aq shumë, sa që e ndiejmë veten të paaftë për të ushtruar më direkt këtë pushtet. Ekzekutivi, në fund të fundit është gara e dy partive që paraqesin një program dhe në momentin që një qeveri vjen në pushtet, në bazë të një programi me x faqe, tenton të bëjë diçka jashtë programit, ky ekzekutiv duhet të presë vendimin e njerëzve, pasi nuk e ke marrë votën për të sjellë apo jo armë kimike. Në qoftë se kjo s’ka marrë opinionin e popullit, nuk e ka tagrin kryeministri për të vendosur”.
Ndonëse nuk gjeti aprovim nga paneli në studio, zoti Gjinovci beson se refuzimi i armëve kimike mund t’i sjellë vetëm mirë kombit. “Ç’ka është kjo histori, pse i thamë jo SHBA-së? Kjo nuk është aspak e rëndësishme. Unë nuk shoh gjë të keqe t’i themi jo kur nuk është në interesin tonë. Populli në këtë rast u soll si subjekt, detyroi kryeministrin të thotë jo. Ky është një vendim sovran e mendoj se reputacioni ynë në marrëdhëniet ndërkombëtare është rritur më shumë pas këtij refuzimi i tashmë do të trajtohemi si partnerë”.
Kush e organizoi protestën?
Pas ‘Jo’-së të Kryeministrit Edi Rama, protestuesit e mbledhur para godinës së qeverisë festuan, ndërkohë që një ditë më pas, në media nisi debati dhe përplasjet se kush e kishte organizuar protestën.
Përfaqësuesi i AKILH, Zirkon Disha thotë se nisi protestën që në fillim, kur mbërritën informacionet e para nga mediat e huaja dhe pas deklaratës së Norvegjisë. Deklarata e AKIP nga Akademia e Arteve për t’i dalë kundër cmontimit të lëndëve helmuese siriane, tha ai, përforcoi pozitat e protestës.
“Mund të themi kush e nisi, pastaj pjesa tjetër u shtri zinxhir. Për ta nisur ka qenë një deklaratë e AKIP tek Akademia e Arteve që ishte kundër importit të lëndëve kimike. Por deklarata dhe mënyra mua m’u duk e pamjaftueshme. Pas kësaj hapa AKILH për të protestuar tek Kryeministria që Kryeministri t’i thotë Jo. Më 7 nëntor nisi protesta e parë dhe më pas pasoi zinxhir. Pas protestës së parë patëm indicie që do të përfshihej politika në protestë dhe pas kësaj nxorrëm sloganin jo politike”, tha Disha.
Ndërkohë, Aldo Merkoçi nga AKIP tha se në protestën e organizuar kundër lëndëve helmuese siriane, asnjë prej anëtarëve të AKIP nuk u nda në i majtë apo i djahtë.
Po nga AKILH, Sevin Serjani tha se nuk ka rëndësi se cfarë cfarë njerëzit votuan më 23 qershor. “Në momentin që ata (politikanët) që tentuan ta politizojnë protestën, nuk ia arritën qëllimit. Kjo ishte protesta më e pastër e qytetarëve të Tiranës”, tha ai.
Në studion e Shqip, të ftuarit folën edhe për ndasitë gjatë ditëve të protestës. Zirkon Disha nga AKILH tha se u nda nga AKIP në momentin kur kjo e fundit bëri thirrje për protestë tek Ambasada Amerikane, ndërkohë që Aldo Merkoçi mbrojti protestën para selisë diplomatike të SHBA-ve duke sjellë ndërmend edhe vetë fjalën e Ambasadorit Arvizu në Top Story, që tha se protesta është shenjë e rritjes së demokracisë.
Erald Bisha, njëri prej protestuesve të 21 Janarit, i plagosur rëndë në atë kohë, vlerësoi protestën qytetare, ndërkohë që solli për herë të parë për mediat, ditët e vështira të 21 janarit e më pas.
“Më 21 janar isha në protestë sepse jam qytetar i lirë i këtij vendi për të konsoliduar lirinë demokratike dhe liritë e njeriut. Rreth orës 16:30 ndodhi që u qëllua me armë. Isha para kryeministrisë në një zonë ku ishte stenda e gazetarëve. Ishte një grup njerëzish shumë paqësor dhe në momentin që jemi qëlluar kemi qenë në momentin e fundit kur njerëzit po shpërndaheshin. Në spital ndenja vetëm 1 ditë sepse pati një impakt negativ prania jonë atje, pati një sjellje jo humane nga doktorët”, tha ai.
Duke krahasuar dy protestat, Eraldi thotë: “Kemi të bëjmë me dy protesta të ndryshme dhe dy mësime të ndryshme. Më 21 janar teorikisht ishim një vend demokratik, por jo në realitet, ndërsa tek protesta para disa ditësh kishim një qytetari të madhe, si nga qeveria ashtu edhe nga protestuesit”, tha ai.
Edhe Disha vlerësoi qëndrimin e policisë si shembullor. “Policia ka qëndruar shumë korrekte me protestuesit. Ka qenë një polici europiane”, tha ai.
Top Channel