Afganistan, atentat në mes të Kabulit

16/11/2013 00:00

Të paktën 10 persona janë vrarë dhe mbi 20 të tjerë të plagosur në një sulm me bombë të verifikuar të shtunën në Kabul të Afganistanit.

Bomba shpërtheu pranë një kompleksi ku liderët tribalë pritet të mblidhen javën e ardhshme për të diskutuar mbi marrëveshjen e sigurisë me Shtetet e Bashkuara.

Policia lokale deklaron se shpërthimi u krye nga një atentator vetëvrasës. Për momentin asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit.

Pakti i sigurisë vendos për statusin e personelit ushtarak amerikan që do të qëndrojë në Afganistan përtej vitit 2014. Ai do të diskutohet javën e ardhshme në Loya Jirga, këshilli tradicional afgan i pleqve.

Mes personave të vrarë në sulmin e së shtunës është edhe një oficer policie, ndërsa viktimat e tjera duket se janë civilë.

Policia thotë se sulmuesi e përplasi automjetin e mbushur me eksploziv ndaj një automjeti të ushtrisë afgane, në momentin kur ushtarët e identifikuan dhe filluan të hapnin zjarr ndaj tij.

Shpërthimi ndodhi më pak se 100 metra nga një tendë e madhe ku mbi 2 mijë figurat e elitës afgane do të mblidhen të martën për të diskutuar paktin me Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja e sigurisë duhet të aprovohet nga Loya Jirga dhe Parlamenti para se të hyjë në fuqi. Mes çështjeve të tjera, pakti mbulon edhe atë më kyçe, nëse personeli ushtarak amerikan do të ketë imunitet nga gjykimi në Afganistan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB