Një grup i kryengritësve radikalë sirianë, në aleancë me Al-Kaedën, kërkoi ndjesë këtë të premte për prerjen e kokës së një bashkëkryengritësi, identiteti i të cilit ishte ngatërruar.
Një video e postuar online tregoi anëtarë të Organizatës Islamike të Irakut dhe Levantit duke ekzekutuar një njeri të lidhur.
Përpara ekzekutimit, xhelati deklaroi se bëhej fjalë për një shiit që luftonte për të mbrojtur regjimin e Bashar al-Assad.
Megjithatë, një grup tjetër brenda kryengritjes, pasi konsultoi imazhet arriti të përcaktonte se ishte ekzekutuar një prej komandantëve të tyre.
Në një tjetër zhvillim gjatë ditës, aktivistët informuan se një prej drejtuesve kryesore të një grupi islamik në aleancë me kryengritësit ishte vrarë gjatë një bombardimi ajror të ndërmarrë prej gjuajtësve të ushtrisë së rregullt pranë Alepos.
Lufta civile në Siri, e nisur në Mars 2011, i ka kushtuar jetën deri më tani të paktën 110 mijë personave.
Prej kohësh, vendet perëndimore kanë shprehur shqetësim për radikalizimin e lëvizjes kryengritëse në Siri, ku gjithmonë e më shumë grupe ekstremiste islamike po i bashkohen luftërarëve anti-Assad.
Top Channel