SHBA: Respektojmë vendimin e Ramës

15/11/2013 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit reagoi pas vendimit të Shqipërisë për të mos marrë pjesë në planin e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.

Zëdhënësja Jen Psaki i tha “Zërit të Amerikës” se vendimi nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më herët gjatë ditës reagoi ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila
deklaroi se e respekton vendimin e qeverisë.

“E respektojmë vendimin e kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë”, thuhej në një komunikatë për shtyp.

Ambasada amerikane bëri gjithashtu të ditur se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët, si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë.

“Ne mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord”, theksohej në komunikatë, ku ndër të tjera nënvizohej se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë do të vazhdojë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike”, vijonte më tej komunikata.

Top Channel