Përshkallëzimi i dhunës në Republikën e Afrikës Qëndrore rrezikon të dalë jashtë kontrollit, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Ki-Moon gjithashtu paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se grupet e armatosura po nxisin një konflikt fetar, duke vënë muslimanët dhe të krishterët kundër njëri-tjetrit.
Ban gjithashtu mbështeti dërgimin e një misioni paqeruajtës të OKB-së, “përpara se kriza të marrë përmasa të paimagjinueshme”.
Republika e Afrikës Qëndrore, një prej vendeve më të varfëra të planetit, ndodhet i zhytur në një situatë të plotë kaotike, që kur kryengritës të armatosur rrëzuan qeverinë e ligjshme në muajin Mars.
Një aleancë e përbërë nga disa grupime rebele e njohur si “Seleka” mundësoi largimin e presidentit Francois Bozize dhe zëvendësimin e tij me komandantin e tyre, Michel Djotodia.
Tashmë në cilësinë e presidentit, Djotodia ka shpërndarë forcat rebele, duke i integruar trupat në ushtrinë e rregullt, pozicion që shumë kryengritës e kanë përdorur për të terrorizuar zona të tëra të vendit nëpërmjet plaçkitjeve, përdhunimeve apo vrasjeve.
Top Channel