Korea e Veriut ka mohuar të ketë dhënë ndihmë ushtarake ndaj qeverisë siriane, në luftën e saj të brendshme kundër forcave opozitare, pas raporteve të medias se Penjani kishte dërguar këshilltarë dhe pilotë helikopterësh.
“Disa prej mediave të huaja janë duke keqinformuar në lidhje me dhënien e mjeteve luftarake nga Republika Demokratike Popullore e Koresë për në Siri, dhe se pilotët koreanë janë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmet ajrore ndaj trupave kryengritës në Siri”, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, mbrëmjen e së enjtes.
“Jerusalem Post” raportoi në tetor se 15 pilotë helikopterësh koreano-veriorë ishin duke operuar në Siri “në emër të regjimit të presidentit Bashar al-Assad”, duke shtuar se ky raport ishte konfirmuar nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Raportime të tjera kanë identifikuar oficerë të artilerisë së rëndë nga Korea e Veriut në Siri, edhe pse thuhet që ata nuk janë në drejtimin e hapjes së zjarrit.
Korea e Veriut ka lidhje të vjetra me Sirinë, teksa ndërtoi një reaktor plutoniumi atje, i cili u shkatërrua nga sulmet izraelite në 2007-n. Ajo ka gjithashtu lidhje me programin e armëve kimike të Sirisë.
Bazuar mbi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia dhe SHBA-të, Assad pranoi të shkatërrojë arsenalin kimik të Sirisë, vetëm pasi Uashingtoni kërcënoi se do të përdorte forcën, si kundërpërgjigje e sulmit me gaz sarin në periferitë e Damaskut, që lanë të vdekur qindra persona më 21 gusht.
Raportimet e medias japoneze në gusht thanë se Turqia kishte ndalur një dërgesë me maska kundra gazi dhe disa armë të lehta nga Korea e Veriut për në Siri. Veriu gjendet nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për armët e tij bërthamore dhe programin e raketave, si dhe për rolin e tij në përhapjen e teknologjisë bërthamore e raketore.
Top Channel