Agjencia për energjinë bërthamore të Kombeve të Bashkuara (IAEA) ka bërë të ditur se qeveria iraniane ka ngadalësuar shpejtësinë e pasurimit të uraniumit, në prag të bisedimeve të reja bërthamore me 6 fuqitë botërore.
Në një raport të ditës së enjte, IAEA tha se asnjë komponent i ri madhor nuk është instaluar në reaktorin e papërfunduar të Arak-ut, një objekt i madh ujëmbledhës, i cili do të niste nga puna vitin e ardhshëm.
Arak, baza që në rast funksionimi do të prodhonte plutonium, ishte një nga pikat kyçe të bisedimeve mes Iranit dhe fuqive botërore në Gjenevë, javën e kaluar.
Raporti i IAEA thekson se Irani ka instaluar vetëm 4 centrifugat e gjeneratës së parë në makinat e plantacionit të Natanz, që përdoren për të përsosur uraniumin, por nuk janë duke operuar të gjitha centrifugat e instaluara.
Raporti tremujor i IAEA është i pari që përfshinte zhvillime që prej ardhjes në detyrë të Hassan Rouhani-t, si president i vendit në fillim të gushtit, i cili synon një hapje diplomatike mes Iranit dhe 6 fuqive botërore.
Në të tregohet gjithashtu se rezervat në Iran të uraniumit të pasuruar të gradës së lartë është rritur me vetëm 5%, deri në 196 kg, që prej muajit gusht, kryesisht prej ndaljes së përkohshme të konvertimit të materialeve në lëndë djegëse për reaktorin.
Por, sasia e gazit të pasuruar të uraniumit në një përqendrim të zbërthyeshëm prej 20% mbetet ende larg 250 kg të nevojshme për një bombë bërthamore, nëse procesi do të vazhdohej më tej, një sasi që Izraeli e ka cilësuar si një “vijë të kuqe”, që do ta detyronte të ndërmerrte sulme ushtarake ndaj Iranit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama ka nxitur anëtarët e Kongresit për të mos shtuar sanksione të reja ndaj Iranit. Obama tha se nëse Irani nuk do të përmbushë premtimet dhe angazhimet për të ardhmen, atëherë “sanksionet mund të rriten”.
Ai tha se nuk është e nevojshme të shtohen sanksionet ndaj ekonomisë së “gjymtuar” iraniane. Gjithsesi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se nuk ishte “i impresionuar” nga raportimi i IAEA-së për Iranin.
“Ata kanë mjetet e nevojshme, centrifugat e nevojshme prër të zhvilluar dhe përfunduar materialet e zbërthyeshme, që përbëjnë bazën për një bombë bërthamore”, tha ai.
Top Channel