Komisioni Europian, i cili ushtron rolin e ekzekutivit të BE-së paralajmëroi Spanjën dhe Italinë që draft-buxhetet e tyre të 2014-s mund të mos jenë në linjë me kufirin e borxhit dhe të defiçitit buxhetor.
KE paralajmëroi gjithashtu Francën e Holandën, se planet e tyre buxhetore plotësojnë kushtet vetëm në “minimumin e domosdoshëm”.
Shtetet anëtare duhet të rishikojnë planin e tyre tatimor dhe të shpenzimeve në funksion me direktivat e BE-së, përpara se të dërgojnë për miratim në Parlament buxhetin vjetor.
Megjithatë, kjo është hera e parë që Komisioni kundërshton hapur projekt-buxhetin e një vendi anëtar.
Sipas rregullave të BE-së, vendet anëtare duhet të shkurtojnë defiçitin, deri në balancimin e buxhetit.
Gjithashtu, niveli i borxhit publik duhet të jetë i kontrolluar dhe në vendet që kanë tejkaluar nivelin e 60% të PBB-së, teorikisht duhet të merren masa për ta ulur atë.
Franca, vendi me ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës njohi një recesion në tremujorin e tretë të 2013-s dhe pavarësisht reformave që shteti po realizon për të reduktuar defiçitin nën kufirin e pranuar vjetor të 3%, Komisioni vlerësoi se përparimi i Parisit mbetet i kufizuar.
Top Channel