Marrëveshjet Shqipëri-Kosovë

14/11/2013 01:30

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën dy marrëveshje për bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë, në fushën e tregtisë, transportit dhe infrastrukturës.

Në draft-marrëveshjet e prezantuara në mbledhjen e kabinetit qeveritar, palët shprehën vendosmërinë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, sic përmendet, duke shfrytëzuar asetet e të dyja vendeve.

Kështu, në marrëveshjen mes Ministrive të Infrastrukturës së të dyja vendeve, Shqipëria dhe Kosova zotohen për hartimin e një master-plani, në të cilin përveç portit të Durrësit do të përfshihet edhe porti i Shëngjinit.

Në këtë pikë, palët pretendojnë t’i zhvillojnë terminalet e nevojshme për përpunimin e mallrave të eksport-importit dhe ato tranzite, për të mundësuar përdorimin e infrastrukturës detare për Kosovën.

Vendosja e linjës së rregullt ajrore Tiranë-Prishtinë-Tiranë, me kosto të ulët nga kompanitë ajrore, është pikë tjetër e marrëveshjes mes palëve.

Marrëveshja thekson së palët angazhohen që infrastruktura aeroportuale e aeroportit të Kukësit dhe të Gjakovës të shërbejnë si mbështetëse për aeroportet e Tiranës dhe Prishtinës, në raste emergjence.

Kjo marrëveshje detyron palët të intensifikojnë përpjekjet për lidhjen me hekurudhë ndërmjet dy vendeve. Para kësaj, marrëveshja thekson se Shqipëria dhe Kosova, fillimisht duhet të gjejnë mundësitë për ndërtimin e kësaj linje.

Sa i përket marrëveshjes për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë, palët theksojnë se qëllimi i saj është thjeshtësimi i rregulloreve dhe kërkesave për transportin, tregtinë dhe doganat, me qëllim që të lehtësohet tranzitimi i mallrave.

Marrëveshja për tregtinë mbulon edhe çështje, të cilat ndërlidhen me kontrollet sanitare dhe fitosanitare, si dhe ka për qëllim përmirësimin e sistemit të deklarimit doganor. Palët, po kështu, do të ndërmarrin hapa për të siguruar nivelin e përshtatshëm të sistemit të deklarimit në doganë dhe cilësinë e shërbimit të agjentëve doganorë. Qeveria shqiptare këtë marrëveshje e ka aprovuar në muajin gusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA