Gjykata e Tiranës ka vlerësuar masën e sigurisë me “detyrim paraqitje”, për pesë shoferët që kishin konsumuar pije alkoolike, dhe që u arrestuan në fundin e javës së shkuar në Tiranë.

Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, gjykata dha këtë vendim për shkak se vet Prokuroria kërkoi të tillë masë.

Aksioni policor i nisur me urdhër të Ministrisë së Brendshme për të arrestuar të gjithë drejtuesit e automjeteve, që kanë përdorur pije alkoolike, duket se ka hasur problemet e para gjatë bashkëpunimit midis organeve, për të dalë në rezultatin konkret për të cilin nisi.

Arsyeja ka qenë burgosja e të gjithë drejtuesve të dehur, por Prokuroria ka zbutur qëndrimet e saj në lidhje me këta drejtues, duke kërkuar një masë më të butë. Por, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka vendosur të zbusë qëndrimet ndaj aksionit policor, pritet se ç’do të vendosin Prokuroritë në rrethe.

Në rang vendi, policia e qarkulllimit rrugor ka arrestuar, që nga e njëjta ditë e javës së shkuar e deri më tani, rreth 50 persona, të cilët në ditët në vazhdim do t’i dërgohen gjykatave.

Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ngulmon që të mos ketë asnjë tolerancë në arrestimin në flagrancë të të gjithë drejtuesve të mjeteve, që kanë konsumuar pije alkoolike, që drejtojnë automjetin pa patentë, apo që fyejnë policët e qarkullimit dhe nuk i ndalojnë shërbimeve.

Ndërkohë që, vetëm në 24 orët e fundit, policia në kryeqytet arrestoi shtatë persona të tjerë, në bazë të Kodit Penal, ndërsa në qarkun Berat janë arrestuar tetë të tillë. Numri i madh i të arrestuarve duket se po vendos rekordet, por prokurorët deri më tani nuk kanë kërkuar asnjë masë sigurie të arrestit me burg.

Top Channel