Kerry: Jo sanksione të reja Iranit

14/11/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u ka thënë ligjvënësve amerikanë se sanksionet e reja ndaj Iranit do të rrezikonin të dëmtonin bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit.

Ai i tha një komiteti të Senatit se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë gjithashtu që të humbasin partnerët e tyre në këto negociata nëse ndërmarrin një hap të tillë.

Paneli i senatorëve ishte duke shqyrtuar një paketë të re sanksionesh, por ligjvënësit janë të ndarë përsa i përket këtij opsioni.

Zoti Kerry tha për BBC se Irani dhe fuqitë botërore janë “shumë pranë” një marrëveshjeje, që sipas tij mund të arrihet në fundjavë.

Para takimit me dyer të mbyllura me senatorët, kryediplomati amerikan tha për gazetarët: “Ajo që po u kërkojmë të gjithëve është që të qetësohen, të shohin me kujdes se çfarë mund të arrihet dhe se cili është realiteti”.

Asnjë nga qëndrimet mes anëtarëve të grupit “5+1” (SHBA, Britania, Franca, Rusia, Kina plus Gjermania dhe Irani përballë) nuk është aq i ndryshëm sa të parandalojë arritjen e një marrëveshjeje, ka thënë më parë zoti Kerry.

Me negociatorët që pritet të takohen sërish më 20 nëntor, republikanët dhe demokratët kanë debatuar nëse sanksionet e reja ndaj industrisë së naftës dhe asaj bankare iraniane mund të shërbejnë si nxitëse të bisedimeve.

Grupi “5+1” ka ofruar gatishmërinë për t’i hequr disa sanksione Teheranit, në këmbim të konçesioneve bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB