Gjermani, ish-presidenti në gjyq

14/11/2013 00:00

Ish-presidenti gjerman Christian Wulff pritet të gjykohet në vendin e tij nën akuzën e shkëmbimit të favoreve gjatë kohës që mbante poste zyrtare.

Ai dyshohet se ka pranuar pagesën e faturave të hoteleve nga një producent filmash në këmbim të lobimit, në kohën kur ishte kryeministër i Saksonisë së Ulët në vitin 2008.

Zoti Wulff, që u tërhoq në shkurt të vitit 2012 pas më pak se dy vite në detyrë, është ish-presidenti i parë i Gjermanisë që përgjigjet për akuzat në gjykatë.

Nga ana e tij 54-vjeçari i hedh poshtë akuzat dhe ka deklaruar se do të pastrojë emrin e tij. Edhe producenti i filmave David Groenewold përballet me akuza të ngjashme. Procesi pritet të fillojë paraditen e së enjtes në qytetin verior të Hanoverit.

Zoti Wolff dyshohet se ka lejuar Groenewold që t’i paguajë faturat e hotelit në Mynih gjatë festës së birrës Oktoberfest në vitin 2008 dhe në ishullin verior të Syltit në vitin 2007.

Në këmbim zoti Wulff dyshohet se ka lobuar në kompanitë gjermane për të mbështetur dhe për të promovuar produksionet e zotit Groenewold.

Prokurorët janë përpjekur ta çojnë në gjyq ish-kreun e shtetit për korrupsion, por gjykata ka pranuar vetëm akuzat më pak serioze të ngritura ndaj tij. Nëse dënohet, ai rrezikon tre vjet burg ose një gjobë.

Dy të pandehurit në mars refuzuan një ofertë të prokurorit për ta zgjidhur çështjen me gjobë, një proçedurë që lejohet për raste që konsiderohen jo serioze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB