Një gjykatë egjiptiane ka dënuar 12 mbështetës të presidentit të rrëzuar islamik, Mohamed Morsi, me 17 vjet burgim për pjesëmarrje në protestat e iniciuara nga studentët, që përfunduan të dhunshme, bëri të ditur media shtetërore.
Agjencia e lajmeve MENA raporton se protestuesit janë dënuar për sulmet ndaj selisë së institutit islamik Al-Azhar, gjatë protestave.
Lëvizja “Vllazëria Muslimane” e Morsit bëri të ditur në faqen e internetit se të gjithë të dënuarit ishin studentë të universitetit Al-Azhar.
Ata u arrestuan, teksa protestuesit në tetor u përpoqën të mësynin zyrat qendrore të Al-Azhar, universitet që doli në mbështetje të rrëzimit të Morsi-t nga ushtria.
Të dënuarit do të mund të lejohen të dorëzojnë rreth 9,300 dollarë dorëzani, nëse do të duan të apelojnë vendimin. Më shumë se 1000 njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve mbështetës të Morsi-t, u vranë gjatë përplasjeve me policinë, që pas rrëzimit të presidentit në korrik.
Me mijëra janë arrestuar, shumë prej të cilëve do të dalin para gjyqeve. 14 mbështetës të dyshuar të Morsi-t, të cilët ishin në gjyq me akuzën e pjesëmarrjes në ngjarjet e veçuara të dhunës nëpër protesta, u shfajësuan të dielën.
Edhe vet Morsi është në gjyq, i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e protestuesve opozitarë jashtë pallatit të tij.
Ai ndodhet në një gjyq së bashku me 14 të dënuar të tjerë, përfshi ish-ndihmësit e presidentit dhe anëtarë të lartë të Vllazërisë Muslimane.
Shumica e udhëheqësve të grupit, përfshi udhëheqësin suprem Mohamed Badie, ndodhen në burg ndërsa policia vazhdon të kapë me dhjetra islamikë çdo javë.
Avokati i Morsi-t tha të mërkurën se presidenti i rrëzuar kishte paralajmëruar se stabiliteti nuk do të rikthehet në Egjipt, deri sa “grushti i shtetit” që largoi atë nga pushteti të kthehet mbrapsht. “Egjipti nuk do të rifitojë qetësinë, përveç se duke anuluar këtë grusht shteti”, tha avokati i tij, Mohamed al-Damati, duke cituar klientin e tij.
Top Channel