Diplomacia ruse zbarkon në Egjipt

14/11/2013 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu pritet të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë në Kairo, që thuhet se do të përfshijnë marrëveshje për armatimet.

Bëhet fjalë për të parën vizitë të këtij niveli të zyrtarëve rusë në Egjipt në dekada. Raportimet sugjerojnë se marrëveshja e armëve me vlerë 2 miliardë dollarë do të jetë pa dyshim në tryezën e bisedimeve.

“Stuhia” diplomatike e Moskës vjen në një moment pasi presidenti amerikan Barack Obama vendosi të ndërpresë ndihmat në armatime për Egjiptin.

Anija e flotës ruse “Varyag” ndodhet për një vizitë 6-ditore në Aleksandri, duke u bërë e para anije luftarake që viziton Egjiptin që prej vitit 1992.

Gazeta egjiptiane “Al Wafd” e përshkroi takimin mes zyrtarëve egjiptianë dhe atyre rusë si “historik”. Zoti Lavrov tha për gazetën “Al Ahram” të mërkurën se për më shumë se dy vjet Rusia kishte shprehur mbështetjen për ndryshimin demokratik në Egjipt.

“Ne jemi besimplotë se Egjipti do ta tejkalojë krizën aktuale dhe do të marrë në konsideratë interesat politike, etnike dhe fetare të shoqërisë”, tha ai.

Më herët gjatë javës, ministri i Jashtëm egjiptian Nabil Fahmy tha për televizionin shtetëror rus “RT”, se furnizimi me armë ruse ishte një opsion që po shqyrtohej. “Çështja e blerjes së armëve të reja ruse duhet të trajtohet me kujdes”, tha ai.

Në shtator SHBA njoftuan se do të ndërprisnin ndihmën prej 1.3 miliardë dollarësh për ushtrinë egjiptiane, për shkak të vrasjes së mbështetësve të ish-presidentit Morsi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB