SHBA: “Boko Haram” organizatë terroriste

13/11/2013 15:45

Departamenti Amerikan i Shtetit pritet të shpallë zyrtarisht gjatë të mërkurës grupin islamist, “Boko Haram”, si një organizatë terroriste ndërkombëtare.

Lëvizja do të thotë se të gjitha agjensitë amerikane do të jenë të detyruara të bllokojnë të gjithë bizneset e transaksionet e “Boko Haram” apo personave fizikë e juridikë që kanë marrëveshje me këto organizata.

Nën ligjin amerikan, do të konsiderohet një krim furnizimi me materiale apo mbështetje të çfarëdoshme të këtij grupi.

“Boko Haram” dëshiron të imponojë ligjin islamik në veriun e Nigerisë dhe konsiderohet përgjegjës për mijëra të vdekur që prej luftës së nisur kundër shtetit në vitin 2009.

Vendimi për të vendosur organizatën në “listën e zezë” të terrorizmit vjen edhe për shkak të lidhjeve të saj të njohura me Al-Kaedën, Al-Shababin dhe degën e Al-Kaedës në Magreb.

Nigeria konsideron këtë organizatë dhe një tjetër grupim të quajtur “Ansaru” si organizata terroriste që prej muajit qershor.

Vendosja e “Boko Haram” edhe në listën e zezë të SHBA-së do të mirëpritej nga qeveria nigeriane dhe Shoqata e Krishterë Nigeriane, që kanë lobuar prej kohësh pranë Uashingtonit për këtë vendimmarrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA